“Miku” mashtrues i djalit të Ramës dhe i deputetëve zhvat 35 mijë euro për legalizim (EMRAT)

Detaje nga arrestimi i dy personave gjatë një operacioni të Antikrimit Ekonomik të Tiranës, te cilët duke u prezantuar si punonjës të Hipotekës, i kishin zhvatur një shtetaseje rreth 35 mijë euro për një leje legalizimi.

Njëri nga të arrestuarit, për t’u bërë sa më i besueshëm, shprehej se ishte mik i disa deputetëve, por edhe i djalit të Kryeministrit Edi Rama.



Ai është Bledar Pupa, 36 vjeç, dhe ishte denoncuar në fillim të këtij viti në emisionin “Fiks Fare”, nga disa banorë të Himarës, që pretendonin të ishin mashtruar po për lejet e legalizimeve.

Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Orges Stefanidhi, 31 vjeç, është arrestuar në ambientet e Burgut të Fierit, ku kishte shkuar që të takonte një të dënuar.

Burimet thanë se deri tani, ndaj dy të dyshuarve është provuar një rast mashtrimi ndaj një shtetaseje, e cila ka deklaruar se u ka dhënë rreth 28 mijë euro dhe rreth 1 milion lekë të rinj për legalizimin e një ndërtimi pa leje dhe për njohjen e një sipërfaqeje trualli. Ndërsa hetimet vazhdojnë për të dokumentuar me prova ligjore edhe dhjetëra denoncime të tjera.

OPERACIONI

Policia e Tiranës tha se është finalizuar operacioni i koduar “Impostors” nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.

Në pranga kanë përfunduar dy shtetas, të cilët, me anë të mashtrimit, i kanë marrë një shtetaseje një shumë në lekë dhe euro, për legalizimin e një ndërtimi pa leje dhe për njohjen e një sipërfaqeje trualli. “Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Impostors’, ndaloi shtetasit Bledar Pupa, 36 vjeç, dhe Orges Stefanidhi, 31 vjeç.

Shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me anë të mashtrimit, i kanë marrë një shtetaseje një shumë prej 27 780 eurosh dhe 985 000 lekësh, për legalizimin e një ndërtimi pa leje dhe për njohjen e një sipërfaqe trualli”, tha dje zyrtarisht Policia e Tiranës.

Panorama


Comments are closed.