Ish-presidenti pa “dorashka”: 29 vite me zullume, disa politikanë i pret qelia

Ka qenë tepër i ashpër ish-Presidenti Alfred Moisu me klasën politike në deklaratat e tij të fundit, duke kujtuar se në ato që duhet të ishin vitet e konsolidimit, politikanë të shumtë në Shqipëri i kanë shfrytëzuar për t’u pasuruar në kurriz të qytetarëve.

Dhe sipas Moisiut, të gjithë këta mashtrues e zullumqarë do të dalin pas hekurave në një moment.

Ish-Presidenti ka thënë në RTV Ora se ka ardhur koha që politikanët shqiptarë të mbajnë përgjegjësi.

“Gjatë këtyre viteve janë bërë shumë zullume, abuzime dhe mashtrime. Dhe ne po të njëjtët politikanë i kemi akoma në krye të punëve. Do vijë një kohë që do kërkohet përgjegjësi dhe llogari. Reforma në drejtësi këtë qëllim ka. Nuk ka thjesht qëllim që gjyqtarët e korruptuar ti mënjanojmë, por duke stabilizuar drejtësinë ajo do stabilizojë dhe politikën. Deri tani nuk kemi asnjë politikan prapa hekurave që e meritojnë”, tha ai.

Moisiu duke iu referuar krizës politike theksoi se nuk mund të hyhet në dialog me kushte, për të gjetur zgjidhjen e ngërçit.

“Në dialog duhet të hysh të bisedosh, duke pasur parësore fatet e kombit, vullnetin e popullit dhe të ardhmen e vendit. E na vjen çudi pastaj që të tjerët  thonë shqiptarët janë kriminelë, hajdutë etj. Kriminelë dhe hajdutë ka kudo, por në vendet e tjera këta dënohen, këtu te ne nuk dënohen. Këtu dënohet një polic, dënohet një infermier, një mjek, por luanët janë në strofkën e tyre dhe japin komanda. Ka ardhur koha që të japin llogari, nuk kanë ku shkojnë, lodhen kot. Kjo duhet të jetë mësim edhe për të rinjtë”, tha ai.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.