Edhe policia në dilemë – Kush e vrau Admir Muratajn? Lleshaj: Prisni sa…

Pavarësisht se në një njoftim zyrtar të Policisë së Shtetit thuhet ekzaktësisht se efektivët e FNSH vranë Admir Muratajn pas përplasjes me armë rreh 300 metër larg pistës së aeroportit të Rinasit, duket se dilema ende nuk është shuar.

Të paktën këtë të lë të kuptosh deklarata e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj sot në studion e “Repolitix”.

Kush e vrau Admir Muratajn, mos vallë “shokët” e tij grabitës?

“Vrasja e tij (Muratajt) është ende e panjohur për sa kohë nuk është mbyllur hetimi”, ishte përgjigja e ministrit.

“Kam parë një diskutim malinj për të zbuluar se kush nga policët e ka bërë këtë (vrasjen e Muratajt)”, shtoi ai.

Ndërkohë, Lleshaj thotë se nuk është i interesuar të mësojë detaje nga dosja e grabitjes së 6.5 milionë eurove në Rinas, pasi kjo nuk është as detyrë e tij.

“E para nuk e kam për detyrë, e dyta nuk kam kërshëri. Mua nuk më intereson. Ka një perceptim se ministri fut hundët në dosje. Mua nuk më intereson as në aspektin personal”, tha Lleshaj.

Lidhur me publikimin e emrit të viktimës fillimisht nga mediat greke dhe jo nga autoritetet shqiptare, Lleshaj tha: “Policia heziton të bëjë publike edhe fakte ordinere në hapat e para të hetimit sepse çdo fakt që jepet në publik është paralajmërim për dikë tjetër që është në hetim apo në kërkim.”









Comments are closed.