Arrestohet avokati i VIP-ave në Greqi, kërkoi 2 mln euro për llogari të bosit shqiptar të mafies (Emrat)

 

Autoritetet greke kanë vënë në pranga avokatin e njohur, Aleksandros Likurezos i akuzuar për implikim në çështjen “Mafia e burgut”.





I njohur si avokati i personave VIP, ai ka përfunduar në pranga për shkak se duke shfrytëzuar lidhjet me elementë shqiptarë të botës së krimit është përpjekur t’u zhvatë miliona euro kolegëve të tij.

Arrestimi ka ardhur pasi më herët kolegë të tij, avokatë të tjerë, kishin deklaruar se pak para vrasjes së avokatit Mihalis Zafeiropoulos në tetor 2017, Likurezos kishte folur me të në telefon.

Siç kanë deponuar në gjyqin për çështjen Zafeiropoulos të paktën dy avokatë-dëshmitarë, Likurezos i kishte kërkuar kolegut që pak më vonë do të vritej, një shumë të madhe parash për llogari të “bosit” të “mafies së burgut”, Klodian Lekocaj.

Avokatët kanë thënë se shuma e kërkuar ishte 2 milionë euro. Porosia ishte dhënë bashkë me Arbër Bakon, i cili u vra po me porosi të Lekocajt në 14 janar të këtij viti, në burgun e Koridalosit.

Një person me influencë të madhe në jetën publike greke, 85 vjeçari Aleksandros Likurezos është mjaft aktiv në profesionin e tij dhe klientët i ka kryesisht nga VIP-at e vendit.





Comments are closed.