Rudina Hajdari në krye të demokratëve, sfidon hapur Bashën: Marrim pjesë në zgjedhje!

Opozita nuk pranon t’i njohë si deputetë të saj, por pavarësisht kësaj përfaqësuesit më të rinj të parlamentit kanë nisur marrjen e vendimeve në lidhje me zgjedhjet që pritet të mbahen në qershor.

Ditën e sotme, Rudina Hajdari mbajti fjalën e parë si drejtuese e grupit demokrat duke vendosur edhe objektivat. Hajdari u bëri thirrje partive opozitare që të marrin pjesë në zgjedhje, ndërsa shtoi se opozita e re do të përgatitet për të shpalosur një alternativë të re. E bija e heroit të demokracisë tha se opozita e re nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet e qershorit.


“Dua të shpreh falenderim për kolegët që flas në emër të tyre pas krijimit të grupit parlamentar demokrat. Këta demokratë janë vërtetë që kanë dhënë kontributin e tyre në zonat e tyre dhe i shikoj si të denjë. Jam e nderuar që i përfaqësoj dhe flas në emër të tyre.

Por cilat janë synimet tona gjatë jetës parlamentare në këtë legjislaturë? E para, do të përfaqësojmë të gjithë demokratët që nuk kanë qenë dakord me dorëzimin e mandateve. Ata që ne duam t’i përfaqësojmë, përpos denoncimeve të aferave dhe skandaleve të kësaj qeverie, do të shpalosim një alternativë të qartë për një vizion të Shqipërisë së nesërme. Këtu kam parasysh, reformën zgjedhore dhe ndryshimin e sistemit. Ne do të paraqesim projektin tonë për sa i përket kësaj platforme dhe do i japim fund partitokracisë. Jemi të hapur për një sistem më të denjë, do të mbështesim reformën në drejtësi dhe integrimin e Shqipërisë.

Nuk jemi dakord për bojkotin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Sado e kompromentuar dhe korruptuar që të jetë kjo shumicë, ne nuk duam të bojkotojmë zgjedhjet. Ne do të përpiqemi që opozitarëve të mos u lëmë një vend bosh dhe ftoj çdo parti opozitare ta rikonsiderojnë vendimin, ne nuk mund të luajmë jashtë rregullave të lojës politike.

E konsideroj të rëndësishme, që ne të përgatitemi dhe të marrim çdo lloj mase të mundshme edhe duke pasur kohën në disfavor për të shpalosur një alternativë tonën”, tha ajo.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.