Deri kur me konvikte diplomatike?

Nga: Petrit KUÇANA

Ministri i Jashtëm, Gent Cakaj

Gati si në befasi, ka rënë një urdhër i ministrit në detyrë, Gent Caka, që shkarkoi një dyzinë “diplomatësh”.

Mbase ky urdhër nuk bëri jehonë, si i tillë në vetvete, por ishte tejet interesante lista e atyre që ishin shndërruar në përfaqësues të shtetit shqiptar në shumë vende të botës.

Në të vërtetë ky urdhër ishte një zhbërje e një premtimi që bëri paraardhësi i tij, se nuk do të lejonte kurrë që ambasadat të ktheheshin në “konvikte diplomatike”.





Lista e shkarkimit vërtetoi nivelin e shërbimit diplomatik, që u cilësua si strehimore farefisnish…

Shumëkush që ka ndjekur ish-deputeten Arta Dade, nuk do ta kalonte shurdhmëmërisht deklarimi i saj se “nuk ia falte Ditmir Bushatit zhbërjen e ligjit për shërbimin e jashtëm ku hoqi përqindjen e profesionistëve”.

Vazhdon të marrë vëmendjen e medias edhe vendimi i tij për heqjen e targave diplomatike, që konsiderohet si një show propagandistik i ministrit të ri në detyrë, por deri më sot nuk është parë të theksohet se “kjo fshesë do të shkojë deri në fund” dhe se përveç të shkarkuarve, konviktet diplomatike janë të stërmbushur së paku me jo-profesionistë dhe as që duket t’i hapet rrugë atyre të shkolluarve në vendet përkatëse ose në perëndim, praktikë kjo e ndjekur nga shumë shumë shtete.

Ka një rast shumë interesant në Londër: Një diplomate shqiptare, e shkolluar në perëndim (Itali), pas ndërrimit të pushteteve në Tiranë, “u konsiderua” e papërshtatshme. Pas pak kohësh ajo punësohet si diplomate në Ambasadën italiane në Londër. Nuk bën për Shqipërinë, por për Italinë?!

Kushedi në sa shtete mund të ketë patur këso lloj situatash të turpshme, ku profesionistë nuk plotësojnë kriterin e pasjes së lidhjeve farefisnore, partiake apo dashurore të partisë apo njerëzve rreth saj…

Të gjithë ata që njohin nga afër stafet e ambasadave nëpër vende të ndryshme të botës, vërejnë së pari mbijetesën e tyre. Kohë më parë është miratuar edhe një ligj që lejon bashkëshortin-bashkëshortin e diplomatit të punësohen, pasi mbetet në shumë vështirësi jetesa e tyre me pagën e Shqipërisë.

Për këto ministri i ri as i vjetër nuk kanë thënë asgjë, madje nuk dihet se deri kur do të vazhdojë të funksionojë diplomacia në këto standarte, kur ata janë në kushtet e mbijetesës. A mund të jetohet me £20 në ditë në Londër? Kaq është paga e një diplomati…. E diplomacia bën demek po punon, e qeveria demek po paguan…

Do të ishte mjaft e lehtë të bëhet një sondazh qoftë edhe për shërbimin konsullor të ambasadave nëpër vendet e ndryshme të botës, për të parë se në çfarë niveli është. Atje do të shikohet sesi radhët mbeten të pafundme, sesi shqiptarët trajtohen me stilin shqiptar, për të mos përmendur ca poste që edhe ata që i kanë zënë nuk dijnë se ç’janë.

(Sa qesharake duken ato emrimet…nejse  një vend më shumë në konviktin diplomatik!)

Sikur këta punonjës, të paktën, të ishin në sektorin konsullor, do t’i shërbenin atyre mërgimtarëve halleshumë. Mbase kështu dita e tyre do të kishte më shumë kuptim, pasi vërtet as ata, si shumë kolegë të tyre, nuk dijnë ç’të bëjnë gjatë orarit të punës… Nuk shtyhet gjithë dita në facebook…

Natyrisht këtu nuk futen ajo kategori që shërbimin diplomatik e konsiderojnë si mundësi për të shkolluar fëmijët e tyre. Me logjikën e tyre të thjeshtë ia vlen kjo sakrificë për të shkolluar fëmijët, qoftë edhe katër vjet (disa edhe për t’i punësuar).

Vërtet a mund të flitet për produkte diplomatike?!

A mund të flitet për diplomaci ekonomike, kur diplomatët mbesin fatkeqësisht në pritje të ndonjë darke me qofte nga emigrantët, pasi paga e tyre është tejet e pamjaftueshme? (Natyrshëm që këtu nuk përfshihen ata që e gjejnë një mënyrë kreative për të shpenzuar para nëpër metropolot e botës, duke u veshur me mantelin e diplomatit.)

Në çdo vend normal diplomacia shihet si pjesa më e rëndësishme e një shteti, ndërsa në Shqipëri diplomacia nuk po mundet të kalojë stigmën e “strehimores” apo konvikteve diplomatike.

Nëse ministri vërtet kërkon diplomaci cilësore, më së paku ajo listë duhet të thellohet dhe jo të zëvendësohet. Të paktën të arrihet në nivelin e Kosovës. Se për atë idenë e ambasadave të përbashkëta me Kosovën, kushedi sa farefisni do të mbeteshin pa punë…kushedi sa interesa do të prekeshin.





Comments are closed.