Ukrainë/ Komediani s’i shkon në debat, Poroshenko “debaton” me podiumin e rivalit: Frikacak!

Një incident i paparashikuar ka ndodhur në Ukrainë, ku Presidenti në detyrë Petro Poroshenko është surprizuar në stadiumin e Kievit nga rivali i tij në garë, pasi ky i fundit nuk është paraqitur për debat.

Poroshenko mbërriti për të zhvilluar debatin e shumëpritur televiziv me njeriun që shpreson t’i marrë postin, por në stadiumin kombëtar nuk u shfaq Volodymyr Zelensky, një komedian pa eksperiencë politike, por me ambicie për të ndryshuar vendin!

Në fakt të gjithë u surprizuan nga mungesa e Zelenskit, pasi më parë të dy garuesit që dolën fitues në raudin e parë kishin rënë dakord që të zhvillonin debatin televiziv.
Poroshenko, i cili e ndjek në sondazhe pasi fitoi vetëm 16% të votave në raundin e parë zgjedhor, duket se ka në duar tashmë mundësinë që të sigurojë më shumë mbështetje falë dështimit të Zelenskyt për t’u paraqitur në “Olympiyskiy Stadium” për përballjen televizive.

Ish-biznesmeni i çokollatave donte që debati të ekspozonte faktin që kundërshtari i tij nuk kishte artikuluar kurrë një vizion politik, apo që idetë e tij t’ia nënshtronte shqyrtimit të imtësishëm në kuadrin e politikës.

Në vend të kësaj, kreu i shtetit në detyrë e shfrytëzoi qëndrimin e tij 45-minutësh në podium për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve dhe për të sulmuar rivalin e tij në mungesë.

Poroshenko, kritikët e të cilit thonë se nuk ka bërë mjaftueshëm për të luftuar çështje të tilla si korrupsioni në vendin e Europës Lindore, e cilësoi fushatën zgjedhore si një “film të heshtur”, duke akuzuar Zelenskyn si frikacak.

“Nëse ai zgjedh t’i fshihet popullit sërish, nëse ka frikë, do ta ftojmë sërish. Do ta ftojmë çdo ditë, në çdo emision të drejtpërdrejtë, për t’i treguar të gjithë vendit se cilin rrezikojnë të zgjedhin për 5 vitet e ardhshme në krye të shtetit”, tha ai përpara turmës së pranishme, por edhe kamerave të televizioneve të shumta.

Zelensky në fakt ka injoruar deri më tani rregullat e zakonshme të fushatës, duke mos mbajtur mitingje dhe duke dhënë rrallëherë intervista, duke preferuar në vend të tyre komunikimin përmes rrjeteve sociale.





Comments are closed.