“Plas” në PS, ‘senatorët’- ministrave të rinj: Po s’bëtë detyrën, del emri në ‘tabelë të zezë’

Që prej riformatimit të kabinetit qeveritar në fund të 2018-ës, duket se në PS është kultivuar një klimë pakënaqësie nga të shkarkuarit dhe “senatorët”, të cilët kanë rezerva për qeverinë “Rama3”.

Emrat e ministrave të rinj duket se nuk i bindin të vjetrit dhe “revolta” është ngjizur kryesisht nga të ikurit, që prej 5 vitesh drejtonin dikastere të rëndësishme shtetërore.

Klima e ngarkuar në PS është reflektuar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit, ku ka patur një diskutim të gjatë mes kryeparlamentarit Gramoz Ruçi dhe ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Sipas “Panorama”, në këtë mbledhje është kërkuar që ministrat e rinj të zbatojnë rekomandimet që u jepen nga institucionet e pavarura, ose do t’ua dalë emri në “tabelë të zezë”, ndoshta për t’i bërë shembull.

Debati i zbardhur gjendet në procesverbalin e datës 18 mars dhe është vetë Gramoz Ruçi ai që i ka bërë të qarta “rregullat e reja” të lojës.

“Nuk i ndaj ministrat në të vjetër e të rinj. Në raport, qoftë në takimin e radhës, qoftë në raportimin që do t’i bëj parlamentit, do përmendet me emër dhe mbiemër çdo ministër që nuk e përmbush misionin e tij si ministër në raport me këto institucione. Pra, u bëhet e qartë sidomos të rinjve, e të mos thonë si na doli emri publikisht kështu. Edhe shërbimet e Kuvendit duhet t’ua bëjnë të qartë këtë. Edhe ju si ministre që mbuloni marrëdhëniet me parlamentin duhet t’ua bëni të qartë. Nëse ata nuk e bëjnë detyrën, atëherë do u dalë emri në tabelë të zezë”, u shpreh Ruçi.





Comments are closed.