Sekuestrohet pasuria e ish-deputetit Arben Ndoka

Një sipërfaqe prej 300 mijë metra katrorë në bregdetin e Lezhës dhe disa apartamente në plazh, prona të ish-deputetit Arben Ndoka, janë sekuestruar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ditën e sotme.

Sipërfaqet ndodhen konkretisht në vendet e njohura si “Mali i Rrenzit”, Shëngjin, “Rana e Hedhun”, Laguna e Lezhës si dhe disa apartamente në plazh, sekuestrimet kanë një vlerë rreth 40 milion euro.

Pasuritë janë të regjistruara në emër të ish-deputetit të PS-së Arben Ndoka, vëllait të tij dhe njerëzve të afërm të fisit të tij.


Sipërfaqja e tokës e vënë nën sekuestro është përfituar në mënyrë të paligjshme, pasi toka ka qenë në pronësi të shtetit, por nëpërmjet dokumentave të falsifikuara, është ndryshuar pronësia nga shtet në privat, çka ka sjellë që pronarët e sipërfaqes tokësore të bëhen anëtarë të fisit Ndoka në Lezhë.

Arben Ndoka ra në prangat e policisë në tetor të vitit 2018, gjatë operacionit të policisë “Volvo 4”.

Nga përgjimet telefonike të Prokurorisë, Arben Ndoka rezultonte i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash në zonën e Kunes dhe Rana e Hedhun në Shëngjin. Gjithçka u zbulua nga hetimet e prokurorisë për vëllain e Arben Ndokës, Gjevi Ndoka, si i lidhur me Avdylajt e Shijakut, të cilët akuzohen për trafik droge dhe porositës të heroinës së laboratorit të Hasit.

Prokurorët e çështjes te Krimet e Rënda janë Vladimir Mara dhe Dritan Prençi. Sekuestrot janë dhënë me vendimin e gjyqtarit, Bib Ndreca.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.