Hapet Muzeu i Kulturës Françeskane

Roli i françeskaneve në kulturën e mendimin shqip do të vijojë të jetë pjesë e historisë. Por, së shpejti hapësira që ka shërbyer si pjesë e rëndësishme e rrugëtimit tonë letrar e kulturor do të kthehet në muze. Është prezantuar në Provincën françeskane, në Shkodër projekti i Muzeut të Kulturës Françeskane Shkodër.

Bashkë me këtë projekt është themeluar dhe muzeu Lin Delija. Veprat e piktorit të njohur janë dhuruar këtij muzeu, që do të shërbejë për të kujtuar e promovuar veprën e jetën e tij. Historia e pranisë dhe veprimtarisë françeskane në Shqipëri ka një shtrirje 800 vjeçare dhe përbën një nga formantet e rëndësishme sa të besimit katolik ndër shqiptarë aq edhe të historisë politike e shoqërore të vendit.

Por, falë rolit unik në bashkëthemelimin e kulturës kombëtare, kontributi i tyre konsiderohet gjithnjë e më tepër si një dukuri kulturore më vete, me autorë e vepra që qëndrojnë në themelet e letërsisë kombëtare, të dijes albanologjike, të publicistikës, mendimit shqiptar, memuaristikës, muzikës orkestrale, pikturës sakrale etj. Roli i tyre është i shumanshëm: në shkrimet themeluese të botës shpirtërore, letrare e kulturore në shqip, në ruajtjen e gjuhës e të kujtesës, në ngjizjen, mbijetesën dhe ripërtëritjen identitare, në rilindjen politike e kulturore, në sfidën e arsimit kombëtar, në farkëtimin e demokracisë funksionale shqiptare, në themelimin e shtetit modern, në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor e deri te qëndresa martire ballë regjimit komunist, te forca dëshmuese dhe gjesti frymëzues i ripërtëritjes sonë të tashme.

Muzeu i ardhshëm Françeskan, do të jetë në çdo rast një hapësirë e vogël por e çmuar, për të strehuar këtë trashëgimi të shumanshme që françeskant shqiptarë dhe Kolegji i tyre i mirënjohur krijuan, kultivuan, mblodhën e përpunuan me përkushtim shembullor. Hapësirat e këtij Muzeu do të jenë vendtakimi i brezave të sotëm e të ardhshëm me poetë, dramaturgë e përkthyes si Leonardo de Martino, Gjergj Fishta, Vinçenc Prennushi; me prozatorë brilantë si Fishta e Anton Harapi; me etnografë e antropologë të kulturës si Shtjefën Gjeçovi, Bernardin Palaj, Donat Kurti; me historianë si Marin Sirdani; gjuhëtarë e stilistë si Benedikt Dema e Justin Rrota, filozofë si Gjon Shllaku, muzikantë mjeshtërorë si Martin Gjoka dhe me personalitetin e rrallë të françeskanit të paharrueshëm At Zef Pllumit, vepra memuaristike e të cilit vijon t’i kërkojë shoqërisë shqiptare përballjen etike me të shkuarën e saj komuniste. Këtë mision ka edhe ky Muze.

Ai do jetë ndër të tjera dëshmia reale e humbjen së rëndë që pësoi kultura e dija kombëtare prej asgjësimit të veprave dhe të autorëve të tyre. Por mbi të gjitha, do të jetë pohimi krenar i një plejade të ndritshme në qiellin e kulturës kombëtare.









Comments are closed.