Arrestohet në Londër rebeli Julian Assange, indinjohet Moska

Policia britanike arrestoi sot themeluesin e platformës investigative Wikileaks, Julian Assange. Ndalimi i tij u bë në ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Sipas Scotland Yard, 47 vjeçari është dërguar në komisariatin e policisë. Më parë Assange humbi azilin diplomatik në ambasadën e Ekuadorit. Në fillim të vitit 2012, Assange u arratis në ambasadën ekuadoriane për t’i shpëtuar një ekstradimi në Suedi dhe një procesi gjyqësor në SHBA.



Sipas të dhënave, Assange u mor në arrest në bazë të një urdhërarresti të lëshuar në qershor 2012 nga një gjykatë britanike.

Platforma investigative Wikileaks kritikoi tërheqjen e azilit diplomatik për Assange si “ilegale” dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Në një deklaratë të publikuar në Twitter thuhet se ambasadori ekuadorian ka “ftuar” policinë britanike të arrestojë Assange.

Marrëdhënia mes Julian Assange dhe palës ekuadoriane ishte keqësuar muajt e fundit. Javën e kaluar Wikileaks paralajmëroi nga një dorëzim i mundshëm i themeluesit të saj. Arsye ishte, sipas tyre, publikimi i fotove, videove dhe bisedave private të presidentit ekuadorian, Lenin Moreno. Në tetor Ekuadori kishte filluar të kufizonte vizitat për Assange dhe mjetet e komunikimit.

Moska e kritikoi arrestimin e Julian Assange. “Dora e ‘demokracisë’ mbyt lirinë”, shkroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Saharova në Facebook. Kurse Ekuadori reagoi duke thënë, se ka qenë e drejta e këtij vendi të kufizojë azilin e Assange.





Comments are closed.