Izrael, Netanjahu, i pozicionuar për një mandat të pestë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është i pozicionuar për të marrë një mandat të pestë qeverisës pas zgjedhjeve të djeshme parlamentare.

Rezultatet e zgjedhjeve tregojnë se partia e tij Likud dhe aleatë të saj të krahut të djathtë ndodhen në pozita më të mira për të formuar një qeveri koalicioni.

Ndërsa janë numëruar 97 për qind të votave, rezulton se partia Likud ka marrë po aq vota sa edhe Partia Bardhë e Blu e qendrës, drejtuar nga ish-udhëheqësi ushtarak, Benny Gantz.



Në kushtet kur asnjë parti nuk ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme, formimi i një koalicioni do të jetë i nevojshëm. Likud dhe aleatët e saj mund të përfundojnë me rreth 65 vende në parlamentin prej 120 anëtarësh.

Në orët pas përfundimit të votimit të dyja palët pretenduan fitoren.

Ndërsa numërimi i votave po shkon drejt fundit, zoti Netanyahu u tha mbështetësve të tij se Likud kishte arritur një “fitore të jashtëzakonshme”. Ai tha se koalicioni i tij i mundshëm do të ishte një qeveri e krahut të djathtë dhe premtoi se do të ishte “kryeministër për të gjithë”.

Komentet janë në kundërshtim me thirrjen e tij drejtuar votuesve në ditët e fundit të fushatës kur ai tha se do të forconte bazën e tij konservatore, duke u zotuar të aneksojë vendbanime në Bregun Perëndimor. Një hap i tillë mund t’i jepte fund çdo shansi për të krijuar një shtet të pavarur palestinez krahas Izraelit.

Zoti Gantz e quajti zotimin e zotit Netanjahut “të papërgjegjshëm”. Ai tha se favorizon një “marrëveshje paqësore të mbështetur ndërkombëtarisht”.

Zoti Gantz tha se partia e tij është një forcë për bashkimin e Izraelit dhe tha se ishte koha për të rrëzuar zotin Netanyahu nga pushteti.

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë se rizgjedhja e kryeministrit izraelit Netanjahu është një shenjë e mirë për paqen.

Nëse partia Likud do të formojë një koalicion qeverisës, zoti Netanjahu do të ketë shanse për t’u bërë udhëheqësi më jetëgjatë në pushtet, duke ia kaluar themeluesit të vendit, David Ben-Gurion.

Por Netanyahu përballet gjithashtu me një hetim penal në vazhdim.

Në pritje të seancës dëgjimore gjyqësore, Prokurori i Përgjithshëm i Izraelit ka thënë se ka në plan të padisë zotin Netanjahu për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit. Zoti Netanjahu e ka quajtur hetimin një “gjueti shtrigash”, duke i bërë jehonë shprehjes së mikut të tij të ngushtë, presidentit Trump, i cili e përdorte atë për të përshkruar hetimin që po kryhej lidhur me fushatën zgjedhore të vitit 2016.





Comments are closed.