Të përballesh me gabimet, shënime nga një shfaqje

Tё premten e 5 Prillit, nё sallёn e vogёl tё Teatrit ArTurbina, u ngjit nё skenë premiera e veprës turbulente tё australianit me origjinë shqiptare, Alex Buzo. Shfaqja vjen nёn regjinё inovatore tё tё mirёnjohurit Armando Bora, si dhe nёn shqipёrimin mbreslёnёs tё shkrimtares Diana Culi. Shfaqja rrëfen një takim mesnate midis Normit (Gert Ferra), një ish veteran i luftës në Vietnam, i cili ndrydh nё kostumin e pёrkorё tё magazinierit gjithё pezmin e betejës, me Ahmedin (Lulzim Zeqja), studentin pakistanez plot ëndrra. Aksioni zhvillohet diku nё njё stacion autobusi nё rrethinat e Sidnejt, materializuar falё njё skenografie minimaliste, tё ndriçuar zbehte e cila ngjall nё sytё e spektatorit një gjendje ‘spleen’.

E gjithë skena po gatuhet nga duart e autores anonime (Gladiola Harizaj), risia nё narrativё e Borёs, e cila ulur nё studion e rehatshme, duke tymosur e pirё kafe, dëshmon klimaksin e personazheve tё saj. Norm i afrohet Ahmedit për t’i kërkuar një çakmak dhe nga ai çast jetёt e tyre marrin tjetër rrjedhe. Tek personazhi i Norm, autori rreket tё përmbledhë kompleksitetin e natyrës konservatore tё mashkullit kaukazian, duke manifestuar paranojat e tij mё të thella lidhur me thelbin e tё qёnurit ndryshe. Kumtet vrastare të Normit rreth “perversёve” qё përgjojnë shkurreve deri tek kujtimet e gruas së tij të ndjerë ‘Beryl’ dhe përvojat si ushtar në luftë, dëftojnë psikologjinë e tij maskiliste-toksike.





Norm është një prodhim i përbindshëm i realitetit. Njerëz si ai i gjejmё ngado, shpesh tё veshur me pushtet, c’ka nxit nevojën pёr reflektim. Padyshim ai ёshtё pasqyrimi ynё i thёrrmuar, sjellё befasisht nё sytё tanё nga pena Z. Buzo, nё mё pak se njё orё. Ndёrkohё, Ahmedi shёrben si njё alterego e Norm, njё version i vetes i pakonceptueshёm pёr tё, prej sё cilit mund tё shpёtojё vetёm duke e vrarё.

Nën drejtimin e Borёs, figura e Norm shfaqet tejet komplekse, aq sa, hera herёs gjendemi tё papёrgatitur lidhur me çka do tё ndodhё; nëse Norm do ta pёrqafonte Ahmedin apo do ta vriste. Dobësia e Normit, frika e tij, urrejtja janë realizuar bindshёm në këtë performancë shpirtёrore tё Ferrёs. Si Ahmedi, Zeqja është i gjithi sy e veshё, i shtyrё nga një ndjenjë padurimi për t’u pranuar nga miku i tij nokturn, i cili manifeston shenja paqëndrueshmërie gazmore.

Nuk mund tё lёmё pa përmendur edhe ndërhyrjet lakonike tё autores anonime, prezenca e sё cilёs u justifikua me fundin e shfaqjes. Pasi Normi gjakftohtё vret Ahmedin e brishtё, autorja, pra Zoti sё cilit i kanё dalё tё bijtё nga duart, deklamon njё seri mësimesh lidhur me paqen dhe dashurinё. Ky epilog risjell nё vëmendje njё nga funksionet bazё tё teatrit qysh nё antikitet, didaktikёn. Ku mё mirё se nё Teatёr, njeriu mund tё pёrballet me gabimet e tij, tё mёsojё prej tyre dhe tё pёrsoset.

Tobias Xhaxhiu





Comments are closed.