Vetëvendosja e Albin Kurtit regjistrohet në Shqipëri, ja kush është kryetari

Mund ta quajmë një lëvizje të paralajmëruar, pasi ishte analisti Baton Haxhiu ai që e përmendi para disa kohësh në emisionin “Open” në Top Channel futjen e Vetëvendosjes në jetën politike në Shqipëri.

Më 21 shkurt kur komentonte djegien mandateve nga PD dhe LSI, duke thënë se këto dy parti tashmë kanë mungesë ideje dhe do të zhduken, Haxhiu thoshte se në Shqipëri do të lindë një forcë e re që të sfidojë Edi Ramën dhe ajo do të jetë lëvizja Vetëvendosje e liderit Albin Kurti.

“Do të kemi mundësinë për lindjen e një partie të re politike. Do të jetë Vetëvendosja. Djegia e mandateve i hap rrugë futjes së Vetëvendosjes në jetën politike shqiptare. Partia Demokratike do të zbehet ndërsa LSI do të zhduket. Nuk shoh tjetër parti me ide, por Vetëvendosja do të hyjë në Shqipëri dhe do të ballafaqohet me qeverinë e Edi Ramës”, tha Haxhiu.

Parashikimi i tij duket se ka rezultuar i saktë, pasi lëvizja Vetevendosje, e njohur si partia më e madhe opozitare në Kosovë është regjistruar zyrtarisht edhe në Shqipëri.

Bojken Abazi nga Vetëvendosja e Albin Kurtit, ka bërë të ditur për mediat se më datë 11 mars 2019 ka dorëzuar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dokumentacionin dhe kërkesën për regjistrimin e qendrës “Lëvizja VETËVENDOSJE” në Shqipëri.

“Qendra do të punojë në rritjen e vetëdijes se bashkimi kombëtar dhe integrimi i Shqipërisë, dhe më gjerë i shqiptarëve, në strukturat Euro-Atlantike (si Bashkimi Evropian dhe NATO) janë procese që duhen realizuar paralelisht dhe e plotësojnë njëri-tjetrin. Ajo ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe aktivizmit qytetar në Republikën e Shqipërisë mbi problematikat e shqiptarëve që jetojnë në treva autoktone shqiptare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, dhe anasjelltas”, ka shkruar Abazi.

Ky i fundit do të jetë drejtor ekzekutiv në këtë institucion.





Comments are closed.