“Valsi i Lumturisë” i Ylljet Alikcës botohet në Francë me parathënie nga Kadare

Del në Francë romani “Valsi i lumturisë”, i shkrimtarit Ylljet Alicka, botuar nga shtëpia botuese L’esprit du temps, përkthyer nga Michel Aubry (Mishel Obri).

Në parathënien e këtij botimi në gjuhën frënge shkrimtari Ismail Kadare shkruan ndër të tjera : « Një roman i shkruar me art dhe dinjitet », ndërsa botuesi francez shkruan për daljen e këtij libri :

« Një rrëfim jashtëzakonisht  ironik dhe absurd, i frymëzuar nga një histori e rrallë, ku zbulohen dy botë,  gjë e rrallë kjo në romanin  tradicional.

Është kjo qasje që e bën letërsinë e Aliçkës origjinale dhe njerëzore.

Ndërsa pas botimit të këtij  romani në Itali, gazeta Corriere della sera ka shkruar “Qesh hidhur tek lexon këtë roman, e megjithatë  qesh.”

Ndërsa ish-ambasadori italian në Shqipëri, Mario Bova shkruan në revistën L’indic :

«Si vepër letrare, Il sogno italiano (“Valsi i lumturisë”) i kapërcen fuqishëm kufijtë e një hapësire kombëtare e lokale, për të arritur fuqinë e një reflektimi mbarëeuropian, për tragjedinë e tmerrshme të fenomeneve të emigracionit drejt kontinentit. »

Romani «Valsi i lumturisë» i botuar nga shtëpia botuese Toena mbështet në një ngjarje të vërtetë.

Në dhjetor të 1985-s gjashtë anëtarët e familjes Popa, hynë ilegalisht në ambasadën italiane. Rasti i tyre bëhet çështje ndërkombëtare për Shqipërinë e vogël e të izoluar. Familja Popa, një familje e thjeshtë nga Durrësi hyn tinëzisht (duke u hequr si turistë) në ambasadën italiane dhe aty kërkon menjëherë strehim politik. Shteti totalitar shqiptar pëson një tronditje të madhe nga ky gjest në atë kohë. I quan shtetasit e vet “kriminelë”. Një gjë të tillë, kush kishte guxuar ta bënte më parë ishte pushkatuar. Ngjarja që erdhi nga këta njerëz të thjeshtë, mori përmasa të paparashikueshme ndërkombëtare. Gjashte anëtarët e familjes Popa, nga frika e dënimit, deklaruan se do të vetëvriteshin, nëse ambasadori italian i dorëzon në duart e sigurimit të shtetit. Ata u mbrojtën për rreth 5 vjet në ambasadën italiane, veprim që u bë shkak për tensionimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, por edhe shkak për kthimin vëmendjes nga Shqipëria të ndërkombëtarëve. Ambasada italiane rrethohet me mbi 600 mijë policë. Përtej brigjeve, televizioni italian transmetonte ngjarjen reale nga Tirana.









Comments are closed.