CR7 kthehet në “logo” droge, 131 kg gjenden në bregdetin e Rumanisë (FOTO)

Edhe trafikantët e drogës dinë ta vlerësojnë më të mirin e futbollit dhe për ta është ylli portugez Cristiano Ronaldo.

Për të disatën herë radhazi logoja CRZ e sulmuesit të Juventus është gjetur e stampuar mbi paketimet e kokainës, që kësaj radhe janë sekuestruar nga policia në Rumani.

Ata kanë konfiskuar plot 131 kilogramë kokainë në brigjet e Detit të Zi në vendin e quajtur “Kap Aurora”.



Një çantë blu që ka dalë në sipërfaqe në brigjet e detit dhe pasi është hapur janë gjetur pakot me drogë, që kishin mbishkrimin “CR7”. Kokaina u gjet të shtunën në mëngjes dhe thuhet se ka rënë nga një varkë kontrabandë droge që u kap në rajon në fund të marsit.

Tregtarët duket se kanë futur në lojë imazhin e sulmuesit portugez për të transportuar dhe më pas shitur produktin e tyre në mënyrë të sigurtë.

Kjo nuk është hera e parë që konfiskohen pako droge me imazhin apo inicialet e sulmuesit të Juventusit. Kujtojmë që në dhjetor të vitit 2018, ishte policia franceze që kapi një sasi kanabisi dhe kokaine në disa pako të mbështjella me imazhin e pesë herë fituesit të “Topit të Artë”.

Në rastin aktual, policia rumune ka paralajmëruar vendasit që të mos hapin pakot nëse do të shohin të tilla, duke vënë në dukje se ato përmbajnë drogë të “pastërtisë 90%” që mund të jenë kërcënuese për jetën.


Comments are closed.