ARMO arkëton miliarda, kush i mban peng pagat e naftëtarëve?!

Problemet për naftëtarët e kompanisë ARMO duket se nuk mbarojnë kurrë. Prej disa muajsh, puna në uzinën e Ballshit dhe në rafinerinë e Fierit vijon e pandërprerë dhe protestat e naftëtarëve duket se janë lënë pas, por, problemet e vjetra kanë mbetur ende pa zgjidhje.

Rreth 1 mijë punonjës të kësaj kompanie, prej 3 vitesh janë ende në pritje për të marrë pagat e prapambetura të periudhës Gusht 2015-Shtator 2016.

Në këtë periudhë, uzina ndali prodhimin pasi pronarët azerë të asaj kohe nuk arrinin të shlyenin detyrimet për blerjen e naftës bruto. Por, pavarësisht kësaj, punëtorët janë thirrur në punë çdo ditë.

Sot që flasim, 512 punonjës kanë fituar gjyqet për pagat e prapambetura, pagesën mbi kamatë-vonesat si dhe pagesat për sigurimet shoqërore e shëndetësore të pashlyera. Aktualisht, Sindikata e Përpunimit të Naftës së Shqipërisë, po vijon proceset kolektive për punonjësit e tjerë.

Përfaqësuesi i SIndikatës, Kamber Iljazaj, deklaroi se detyrimet për 1 mijë punonjësit janë njohur edhe nga vetë pala e paditur, fakt i cili është renditur edhe në 3 vendimet kolektive të marra deri tani nga GJykata e Tiranës.

“Kemi marrë nga kompania, nga ish-pronarët azerë listat për periudhën Qershor 2015-Shtator 2016, periudha e pagave të papaguara. Në të pasqyrohen të gjitha detyrimet që firma ka për punonjësit. Ky material është njohur edhe nga Drejtoria e Tatim-Taksave Tiranë, Tatimpaguesit e Mëdhenj. Kemi marrë vërtetimin origjinal të kompanisë për detyrimet që ka ndaj punonjësve”, tha Iljazaj.

Por, pse nuk ekzekutohen vendimet e gjykatës për pagat e prapambetura? Dihet tashmë se pronarët azerë janë larguar prej 3 vitesh. Përfaqësuesi i sindikatës thotë se tashmë, uzina administrohet nga një kompani e quajtur “Bylis Energji”, por ai shton se me manovrat që janë bërë ndër vite “asnjëherë nuk po merret vesh pronari i vërtetë”. Pikërisht, këtu duket se qëndron edhe ngërçi.

“Këtu po bëjnë një lloj loje që gjoja nuk janë pronarë por qiramarrës. Në Nëntor të vitit 2016 kryeministri erdhi në Ballsh te uzina dhe tha se paratë janë të garantuara, në Qershor 2017 u takuam sërish e njëjta gjë. U lidhëm përmes video-konferencës në Janar të vitit të shkuar, u takuam edhe në 31 Janar të këtij viti, sërish e njëjta gjë. Por, asgjë nuk u bë për paratë. Ne i kemi bërë të gjitha lëvizjet, i kemi çuar njerëzit edhe në këmbë drejt Tiranës në protestë”, tha më tej sindikalisti Kamber Iljazaj.

Problemi duket se nuk është vetëm kompania. I dyshimtë është edhe roli i Përmbarimit Shtetëror. 3 vendime kolektive të Gjykatës së Tiranës për 512 punonjës janë çuar në Përmbarim por ky i fundit nuk ka nxjerrë ende urdhrat e ekzekutimit sipas sindikatës.
“Avokati ynë ka çuar vendimet në Përmbarimin Shtetëror. Atje Përmbarimi i ka thënë se ka marrë përsipër të bëjë ekzekutimin, por kundrejt bllokimit të një sasie parash prej rreth 90 milionë lekësh të vjetra, që I korespondon rreth 175 mijë lekë për person. Ndërkohë që ne këkrojmë paratë tona. Këto para janë gjoja si garanci fiskale. Unë nuk kam dëgjuar kurrë që Përmbarimi të marrë lekë, Përmbarimi merr tarifën, atë që I takon nga nga humbvësi i gjyqit”, tha më tej sindikalisti Kamber Iljazaj.

Në korespoendencën me avokatin e naftëtarëve, Përmbarimi ka bërë me dije se ka vënë në dispozicion dy jurist të merren me çështjen. Por, problem mbetet tarifa që ky institucion kërkon e cila ka krijuar ngërçin dhe mban peng ekzekutimin e vendimeve për shlyerjen e pagave të prapambetura për naftëtarët.

Gazeta Shqip





Comments are closed.