Aeroporti i Kukësit/ Përplasje “premtimesh” Rama-Balluku, 1 vit apo 24 muaj? (VIDEO)

“Aeroporti është në një pozicion shumë strategjik sepse mbledh shqiptarët këtej dhe andej kufirit. Do i japë mundësinë çunave të Kukësit të vijnë me shumë pak paund nga Anglia. Parashikohet një fluks prej rreth 300 mijë pasagjerësh në vitin e parë për të shkuar deri në 1 milion pasagjerë në vit. Ky aeroport do të sjellë një erë të re zhvillimi për të gjithë zonën, pasi shërbimet do të prodhojnë vende pune që parashikohen të shkojë deri në 12.000”.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama ditën e djeshme në Kukës, nga pista e aeroportit të vjetër, e cila me marrëveshjen e re koncesionare për ta “ringjallur” këtë vepër të ndërtuar në vitin 2000 me sponsor nga Emiratet e Bashkuara Arabe pas luftës së Kosovës do të zgjatet.

Kryeministri ishte i qartë kur u premtoi kuksianëve aeroportin në shkëmbim të votës për Safet Gjicin si kryebashkiak në zgjedhjet e 30 qershorit, duke theksuar se do të përfundojë brenda një viti.

Por duket se në qeverinë e Edi Ramës as vetë nuk e kanë të qartë, ose nuk e kanë ndarë mendjen për faktin sesa do të zgjasin punimet për të bërë të aksesueshëm për fluturimet ndërkombëtare, aeroportin e parë të linjave “low-cost” në Shqipëri.

ERTV Live😊: Kukës – Nisin punimet për ndërtimin e aeroportit të ri ndërkombëtar "low cost", i cili parashikohet të tërheqë rreth 300 mijë pasagjerë vitin e parë, për të arritur në vite në 1 milion pasagjerë, duke krijuar nga ana tjetër rreth 12 mijë vende pune në zonë si rezultat i aktivitetit të gjerë ekonomik që sjell aeroporti në jetën e një zone.

Publiée par Edi Rama sur Samedi 6 avril 2019

Kjo pasi deklarata e kryeministrit për një afat prej 12 muajsh, bie ndesh me atë që ministrja Belinda Balluku ka bërë në transmetimin e ERTV-së, gjatë inspektimit që Rama dhe kryeinxhinieri i firmës koncesionare i kanë bërë pistës së vjetër.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë inspektimin në nisjen e punimeve tha një afat të ndryshëm nga premtimi i kryeministrit.

Edi Rama: Sa do të zgjasë puna?

Belinda Balluku: 24 muaj.

Deklarata për dyfishimin e kohës së përfundimit të punimeve vjen pa kaluar ende 24 orë nga premtimi i Ramës dhe duket se edhe në videon e ERTV, shefi i qeverisë e ka shprehur hapur pakënaqësinë me pohimin e sinqertë të ministres së tij.

“Jo mo, do ta bëjmë më përpara”, dëgjohet të thotë Rama duke ngritur zërin në drejtim të koncesionarit, të cilit ia thotë edhe në anglisht se investimi i planifikuar në 10 milionë euro, duhet të përfundojë brenda një viti.





Comments are closed.