Rama në fabrikën e hudhrave, pronari i jep një pako: S’të merr më njeri mësysh!

Kavaja ishte qyteti ku kryeministri Edi Rama u ndal këtë të dielë, me ERTV që transmetoi disa aktivitete nga vizita e tij.

Shefi i qeverisë, ndër të tjera inspektoi punën e një fabrike që kryen përpunimin e hudhrave, e cila sipas informacioneve nga ERTV është ndërtuar nga katër vëllezër emigrantë të rikthyer në Shqipëri në vitin 2000.

“Katër vëllezër emigrantë të rikthyer në Shqipëri për të ngritur një fabrikë moderne për përpunimin e hudhrave, me eksporte në tregjet e standardeve më të larta në Europë dhe në botë, nga Holanda, Anglia e deri në Zelandën e Re. Kjo fabrikë ka përfituar së fundmi një financim nga Fondi i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural”, shkruan Rama në FB.

Rama i shoqëruar nga kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe Ministri i Bujqësisë, Bledi Cuçi, pa nga afër kushtet në të cilat punon fabrika dhe foli për progresin që po i sjellin ekonomisë në vend investime të tilla.

“Ne po bëjmë një kapërcim që ka dhimbjen e vet për një pjesë që janë mësuar të mbjellin çfarë i shkon ndër mend dhe pastaj thonë e ka fajin që s’na shitet. Kjo është bujqësia që duam ne jo ajo që të hedhësh lekë kudo. Ne do ju mbështesim shumë fort”, tha ai.

Por, kryeministri nuk kurseu as batutat me një nga pronarët e kësaj fabrike. Duke kujtuar mitin e famshëm të “shkuarjes sy” biznesmeni iu përgjigj me humor Ramës: “Tani të rrish i qetë, nuk ka më sy”, kur ky i fundit tha: “Këtu paska vetëm hudhra”.





Comments are closed.