Historia e pikturave që erdhën në Tiranë me kamionë ndihmash

“Urimet më të mira për 1999”, quhet ekspozita me koleksionin më të mirë të veprave të dhuruara nga artisti Jan Dibbets, hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve. Artisti i njohur ia ka dhuruar Galerisë shqiptare këto vepra pikërisht në vitin 1999, dhe titulli simbolizon disi dhe kohën kur ky koleksion mbërriti për herë të parë në Shqipëri, ku çdo ekspozitë synonte të kontribuonte për ditë më të mira. Arnisa Zeqo kuratorja e kësaj ekspozite ka treguar ndër të tjera dhe aventurën e ardhjes së këtij koleksioni në Shqipëri.

“Pothuajse njëzet vite më parë – në vitin 1999 – veprat e ekspozuara sot këtu kanë udhëtuar drejt Tiranës nga bodrumi i Muzeut Stedeljik dhe nga studio e artistit Jan Dibbets në Amsterdam, me shumë gjasë, me kamionë ndihmash. Qytetin ato e gjetën në një psikogjeografi e një peizazh akustik shumë specifik. Ndërkohë që veprat po udhëtonin për në Tiranë, nga Kosova ishin nisur mbi gjysëm milionë refugjatë.

Tirana po mblidhte veten nga ngjarjet traumatike të viteve 1997-1998. Galeria Kombëtare e Arteve ka një histori të pasur të koleksionimit të veprave të artistëve vendas, shumë prej të cilëve kanë krijuar gjatë periudhës së Realizimit Socialist”, tha Zeqo. Sipas saj, veprat e Koleksionit Jan Dibbets shkaktojnë ndjesi të kundërt me atë të koleksionit permanent, sepse vijnë nga situata krejt të ndryshme sociale e politike.

Pikëtakimi mes këtyre dy situatave të ndryshme të koleksionimit, hap një rrugë të trazuar. Si arrijnë veprat e artit dhe koleksionet e artistëve të krijojnë agjenci që trazojnë?”. ”Kjo ekspozitë do të shërbejë edhe për të prezantuar për publikun disiplina të tjera të artit, si ajo e performancës nëpërmjet një programi edukativ dhe publik që do të zhvillohet përgjatë muajve të hapjes së ekspozitës deri në përfundim të saj më 22 shtator 2019”, tha Zeqo.

Drejtori i Galerisë, z. Erzen Shkololli ftoi publikun që të vizitojë ekspozitën e këtij koleksioni si dhe atë të artistit Sokol Beqiri “As Mik as Armik” e cila u hap një javë më parë në sallën e ekspozitave të përkohshme. Përveç njohjes me artin e prodhuar nga më shumë se 50 artistë në periudha të ndryshme kohore, këto ekspozita na prezantojnë dhe me situatën që po kalonin të dyja vendet, Kosova dhe Shqipëria në të njëjtin vit.





Comments are closed.