8 femra të dyshuara për vrasjen e një burri!

Ankohet për çdo gjë dhe për të gjithë. Një lakmitare që i pëlqen të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes! Agustina, ky personazh “plot me virtyte” do të vijë nën interpretimin e aktores Olta Daku, në veprën “8 femra” që do të ngjitet në skenën e Turbinës, më datat 29-30-31 mars, ora 19.00 nën regjinë e Driada Dervishit.

Vepra gati provokative e Robert Thomas ka bërë bashkë emra të njohur femër në teatrin shqip. Për regjisoren Dervishi njohja me këtë vepër ka qenë një tërheqje e menjëhershme. Pasi lexoi veprën e pëlqeu aq shumë sa mendoi ta vendoste në skenë, duke zgjedhur 8 aktoret që i përshtateshin personazheve të ndërtuar nga Thomas.

Shfaqja është e ndërthurur me pjesë muzikali, ku secila aktore këndon këngën e karakterit të saj. Fabula e pjesës është kjo: Në një shtëpi të madhe në fshat të mbuluar nga dëbora, një familje është mbledhur për të festuar Festat e Fundvitit. Por nuk do të ketë festime, babai patriark i familjes është gjendur i vrarë. Vrasësi mund të jetë vetëm njëra nga 8 femrat më të afërta të burrit të shtëpisë. Situatat komike shpërthejnë kur familjes fillon t’u dal sekreti. 8 femra.

Secila nga ato është e dyshuar. Njëra prej tyre është fajtorja. Cila nga ato është? Ngjarja rrotullohet rreth femrave të familjes dhe punonjësve të tyre, loja fillon kur 8 femrat mblidhen në shtëpinë e madhe për të festuar Krishtlindjet dhe përfundojnë duke kërkuar të zbulojnë vrasësin e Marselit, burrit të shtëpisë. Të bllokuara në shtëpi, secila nga femrat është e dyshuar, secila nga ato kanë motivet dhe sekretet e tyre. Një tjetër aktore që rikthehet të interpretoje në këtë vepër, pas një mungese të gjatë është Merita Çoçoli.

Ajo interpreton Pjeretën, një ish kërcimtare nudo” apo një “artiste me talent dhe e pastër si zambak”? Zamira Kita, aktorja e njohur e shumë roleve që kanë mbetur në kujtesën e publikut do të interpretojë një gjyshe që nuk heq dorë nga alkoli. Koprace apo vrasëse? Ky dyzim do të shihet më mirë nën intepretimin e Kitës. Yllka Mujo interpreton në këtë vepër rolin e Gabit, zonjës elegante së shtëpisë që i do shumë paratë, pak të bijat dhe aspak të shoqin.

Në role të tjera interpretojnë aktorët Rajmonda Bulku, Klodiana Keco, Blerta Belliu, Paola Kodra dhe Ilda Pepi. Raimonda Bulku intepreton në rolin e Chanel, punonjësja e shtëpisë. Klodjana Keco në rolin e Suzanës, vajzës së Gabit dhe Paola Kodra si vajza adoleshente e familjes, e cila është stërmullari i ngjarjes për shakanë që përfundoi në tragjedi.

Gazeta Shqip





Comments are closed.