Butka rikandidon për Drejtor të QKKK-së, në garë dhe tre të tjerë

Ilir Butka, ish kryetari i Qendrës Kombëtare të Filmit, do të rikandidojë për një mandat të dytë. Bashkë me Butkën, pranë Ministrisë së Kulturës kanë dorëzuar platformat e tyre për këtë post dhe artistët Yllka Gjollesha, Elkjana Gjipali dhe Eduart Makri. Ish drejtori Butka e quan rikandidimin e tij, si një vijimësi të një procesi të nisur.

Në një letwr publike ai bëri të ditur strategjinë e mandatit të parë, duke thënë se “puna e tij ishte bazuar në pesë drejtime që kishin për qellim krijimin e një fryme të re në kinematografinë shqiptare: rritja e buxhetit, rritja e prodhimit kinematografik, dhënia e mundësive të financimit për brezin e ri, rritja e bashkëprodhimeve me produksionet e huaja si dhe rritja e pjesëmarrjes së kinematografisë shqiptare në aktivitete ndërkombëtare.

“Gjatë këtyre viteve, pas një pune insistuese dhe falë mbështetjes së qeverisë, buxheti për kinematografinë u dyfishua.

Kjo rritje 100% e buxhetit u shoqërua nga një tjetër rritje, që erdhi si rezultat i miradministrimit, uljes së kostove si dhe gjetjes se burimeve alternative te financimit”, tha Butka. Sipas tij, ka bërë një reformë të thellë për mënyrën e financimit të projekteve filmike në QKK, duke i bërë një analizë të detajuar preventivave të buxheteve.

“Gjatë mandatit tim të parë janë financuar mbi 210 projekte, nga të cilët 12 filma të gjatë të karrierës, 14 filma të gjatë vepër e parë për kineastët e rinj, 15 filma të gjatë si bashkëprodhime në minorancë, 14 filma të gjatë independentë, 37 filma të shkurtër, 23 filma dokumentarë, 19 filma të animuar, 22 festivale filmi, 4 workshop-e, 10 trainime për kineastët e rinj dhe rreth 20 projekte të tjera me karakter promovues brenda dhe jashtë vendit”, tha Butka.

Vetëm në 4 vitet e fundit janë financuar më shumë se 1/3 e filmave të financuar gjatë 20 vjetëve të funksionimit të QKK-së: Janë financuar 183 filma në 17 vjet (1997 – 2014) ndërsa janë financuar 130 filma vetëm në 4 vjet (2015 – 2018). Gjatë 4 viteve të fundit (2015-2018) janë financuar 56 filma të gjatë, përkundrejt 34 filmave të gjatë të financuar në periudhën 17 vjeçare (1997 – 2014).

Sipas tij, mandatin e dytë e sheh si një mundësi për të vazhduar dhe përmbyllur reformën . Nëse do të ketë një mandat të dytë, puna e tij do të fokusohet në “dyfishimi i buxhetit të projekteve filmike”.

“Në punën e çdo kryetari duhet të ketë shumë prioritete, por buxheti është më i rëndësishmi. Pavarësisht se e kemi dyfishuar, përsëri buxheti mbetet i pamjaftueshëm krahasuar me potencialin tonë krijues dhe prodhues.

Financimi i industrisë krijuese në përgjithësi dhe i kinematografisë në vecanti nuk duhet kuptuar thjesht si financim kulturor. Industria krijuese prej vitesh konsiderohet tashmë si një prej industrive më fitimprurëse në botë. Në këtë kuadër qëllimi i ekzistencës së QKK-së nuk është sigurimi i financimit publik për realizimin e disa filmave. Kushdo që e trajton QKK-në thjesht si financuese të filmave ka interpretuar gabim arsyen e ekzistencës së saj. QKK sikundër të gjithë qendrat homologe në Europë ka qëllim mbështetjen e industrisë kinematografike në vend”, thotë Butka.

Industria kinematografike midis të tjerave është një nga industritë me kapacitetin më të lartë të atraksionit ndaj investimeve të huaja.

“Si në çdo industri, sa më shumë të investosh aq më shumë përfiton dhe mjafton të përmëndim disa nga përfitimet direkte të kësaj industrie:
– Projektet kinematografike shqiptare (filmat me metrazh të gjatë) në masen 70% sigurojnë dy ose tre Euro për çdo Euro të financuar nga QKK

– Nxitja e financimeve në sektorin audioviziv dhe të kinematografisë nga investitoret privatë të cilët cdo vit investojnë shifra marramëndëse në teknologji dhe infrastrukturë. Këto investime janë në proporcion të drejtë me investimin që shteti bën në këtë sektor.

– Punësimin sezonal të stafeve të filmit. Kemi çdo vit mbi një mijë të punësuar sezonalë në sektorin e filmit. Punonjësit e këtij sektori specifik janë një aset me vlerë të jashtëzakonshme jo vetëm në tregun lokal të punës por edhe në tregun ndërkombëtar, pasi vazhdimisht ata impenjohen në prodhime dhe bashkëprodhime ndërkombëtare. Angazhimi i vazhdueshem me punë i kësaj kategorie ndikon drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të tyre profesional. Sikundër profesionalizmi i pilotëve matet me orë fluturimi, profesionalizmi i stafeve matet me numrin e filmave që kanë realizuar.

– Kapacitet i lartë promovues i kinematografisë, që shkon në favor të promovimit të territorit, nxitjes së turizmit dhe krijimit të imazhit pozitiv për vendin.

Nisur nga këto parametra, përcaktimit të buxhetit për qendrat e kinematografisë i kushtohet në të gjithë botën një vëmendje e veçantë”, pohon Butka. Sipas tij, nga eksperiencat më të mira ndërkombëtare vendimmarrja për buxhetin bazohet mbi dy kritere: Në varësi të kapacitetit prodhues dhe indikatorëve të performancës dhe bazuar në numrin e popullsisë (per capita).

Kjo e dyta është kriteri që përdoret për financimet më minimale të mundëshme nga vendet më të varfëra. Nëse e marrim si referencë numrin e banorëve, sipas përllogaritjes që disa vende kanë aplikuar, çdo banori i takon të financojë minimumi me një (1) Euro në vit kinematografinë e vendit të tij, e barazvlershme kjo me koston e një kafeje ne vit.
Mbi këtë logjikë, dyfishimi apo tre fishimi i buxhetit edhe pse në dukje i vështirë, për mendimin tim, është një objektiv i realizueshëm në një periudhë disa vjeçare, duke siguruar një rritje graduale, por të vazhdueshme të buxhetit çdo vit.

“Ky duhet të jetë prioriteti i QKK-së, i çdo Kryetari, i shoqatave të kineastëve dhe i gjithë komunitetit në vitet në vazhdim. Për këtë, shpresoj që shteti, Ministria e Kulturës, institucionet e lidhura direkt me vendimmarrjen për rritjen e buxhetit, si Komisioni i Medias dhe Ministria e Financave, do të jenë partnerët e natyrshëm të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe të Kryetarit të ardhshëm, në përpjekjet për të realizuar rritjen e buxhetit”, thotë Butka duke vazhduar se mbështetja e kineastëve të rinj do të jetë prioritet.

Gqazeta Shqip





Comments are closed.