Pendohen britanikët, protesta masive kundër “Brexit”

Largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian duket se nuk do të jetë aq i lehtë sa e kishin parashikuar britanikët 3 vite më parë, kur votuan pro “Brexit”.

Ata tashmë janë ndarë në dy kampe, një grup masiv që kërkon një tjetër referendum dhe një tjetër grup më i vogël, të cilët shprehen se “largim do të thotë largim”.

Qindra mijëra vetë kanë protestuar nëpër rrugët e Londrës kundër “Brexit”-it. Ndërkohë, në një marshim më të vogël, përkrahësit e “Brexit”-it janë nisur nga verilindja e Anglisë për të mbërritur në Londër më 29 mars, e cila mendohej se do të ishte dita kur Britania do të largohej nga Bashkimi Europian.

Marshuesit kundër “Brexit”-it kanë kërkuar revokimin e Nenit 50 të Traktatit të Lisbones, mekanizmit ligjor që mundëson divorcin e Britanisë nga unioni. Kur kanë ngelur më pak se një javë nga data e largimit, 29 marsi sipas rezultatit të referendumit të 2016-s, askush nuk e di se si, kur, madje as nëse do mund të dalë Britania nga Bashkimi Europian.

Kjo ka bërë që sentimentet në të dyja kampet, pro dhe kundër “Brexit”-it, të fuqizohen. Një kamp e cilëson situatën e krijuar në negociatat me BE-në si “poshtërim kombëtar” përpara aleatëve europianë. Madje, edhe kryeministrja Theresa May e pranon se vendi është në “kaos dhe krizë”.

Sakaq, një peticion “online” është firmosur nga mbi 4.2 milionë vetë që kërkojnë anulimin e divorcit britanik me Bashkimin Europian, shifra më e lartë e pjesëmarrjes, gjë që në një moment bëri që faqja zyrtare të bllokohej.







Comments are closed.