Transformohet sheshi “Nënë Tereza”, gati “froni” për Erion Veliajn (FOTO)

Nesër në sheshin “Nënë Tereza” PS hap fushatën për Tiranën. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë masivisht në takimin e nesërm “Bashkia që duam” që do të zhvillohet në sheshin “Nënë Tereza”.

Ndërkohë, mësohet se gjithçka është gati për prezantimin e nesërm. Një foto e publikuar nga kryebashkiakut në rrjetet sociale tregon sheshin, i cili është transformuar për zyrtarizimin e Veliajt për një tjetër mandat për Tiranën.

Më herët Veliaj bëri me dije nesër do të prezantohen edhe 100 kandidatët për anëtarë të Këshillit Bashkiak që do të përfaqësojnë të gjithë grupet, profesionet dhe zonat e kryeqytetit.

Kreu i Bashkisë zbardhi edhe axhendën e punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste i cili është konceptuar krejt ndryshe nga vitet e mëparshme. “Ne kemi ftuar të gjithë qytetarët e Tiranës, jo vetëm ata që janë anëtarë të PS, ka shumë demokratë që në njëfarë mënyre e thonë troç, ia kanë parë hajrin mënyrës se si ka punuar bashkia, ju është rritur vlera e pronës, ka pasur zhvillime në komunitet. Dhe unë besoj që tek bashkia, tek menaxhimi i qytetit, njerëzit janë më pak të politizuar. Shohin më shumë çerdhja, kopshti, shkolla, këndi i lodrave, pastrimi, sesa stemat e partisë. Kështu që mezi pres që nesër të takoj dhe shumë miq të mitë, demokratë, që thonë Tirana është në drejtimin e duhur. Mirë, keq, mund të mos jetë partia jonë, por gjërat po ecin për mirë. Edhe ne do të kemi këtë seancë aty, nga ora 11:00 deri nga ora 13:00, pastaj për t’u rikthyer në Pallatin e Kongreseve për disa sesione”, deklaroi më herët Veliaj.

Gazeta Shqip









Comments are closed.