Gomonet me drogë/ 10 të arrestuar pasi 80 policë “krehin” Vlorën (EMRAT)

Ka shkuar në 10 numri i të arrestuarve si posedues të ngarkesës prej 328 kg kanabis që u sekuestrua sot në gjirin e “Petrunës”, në zonën e gadishullit të Karaburunit. Sipas policisë së Vlorës, ata funksiononin si një grup i strukturuar kriminal dhe me dy gomone do të trafikonin drejt Italisë, ngarkesën me hashash.

“Operacioni nisi tre ditë më parë me kërkimin dhe gjetjen e dy mjeteve lundruese, që dyshohej se këta shtetas do t’i përdornin për të trafikuar lëndën narkotike drejt Italisë. Organizatorët e këtij grupi kriminal, për t’iu shmangur policisë kishin parkuar në vendbazimin e gomoneve, mjete të tjera lundruese të prishura, ndërsa dy mjetet e rregullta u gjetën nga Policia, njëra në gjirin e Shën Janit dhe tjera në Dukat të Vlorës. Më pas është bërë krehja e një zone të gjerë në Karaburun, ku në gjirin e Petrunës, forcat policore bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike të fshehur, me peshë totale 328 kg, si dhe arrestimin në flagrancë të shtetasëve O.P dhe E.M, të cilët po ruanin lëndën narkotike”, sqaron policia.

Në këtë operacion policor janë përfshirë rreth 80 forca policore, Prokurorë të Prokurorisë për Krimet e Rënda, mjete lundrimi të Delta – Forcës, Policisë Kufitare si dhe mjete të Policisë të DVP-Vlorë.



Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrance i 2 shtetasve dhe ndalimi i 8 personave anëtarë të një grupi kriminal të strukturuar, të cilët janë:

-E. Ç., 35 vjeç, banues në Orikum Vlorë, në rolin e organizatorit;

-S. D., 45 vjeç, banues në Vlorë, në rolin e organizatorit;

-A. Gj., 22 vjeç, banues në Orikum Vlorë, në rolin e organizatorit;

-Xh. H., 26 vjeç, banues në Orikum Vlorë, anëtar i grupit kriminal;

-G. K., 27 vjeç, banues në Dukat Vlorë,anëtar i grupit kriminal;

-N. S, 45 vjeç, banues në Vlorë, anëtar i grupit kriminal;

-O. P., 29 vjeç, banues në Vlorë, anëtar i grupit kriminal;

-E. M., 40 vjeç, banues në Vlorë, anëtar i grupit kriminal;

-H.B, 51 vjeç, banues në Dukat Vlorë, anëtar i grupit kriminal;

-A.B., 19 vjeç, anëtar i grupit kriminal;

Nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, vazhdon puna për dokumentim më të plote të aktivitetit kriminal të kryer nga ky grup i strukturuar kriminal, si dhe për kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Ky operacion u zhvillua në kuadër të procedimit penal nr.156 të vitit 2018, të drejtuar nga Prokurorët e Prokurorisë për Krime të Rënda, Anton Martini dhe Manjola Kajana, procedim i rregjistruar për veprën penale të “Trafikimi i lëndëve narkotike”, ku në funksion të këtij procedimi më datë 29.08.2018 në bashkëpunim me autoritetet italiane, janë sekuestruar në brigjet e Italisë 700 kg kanabis, 1 gomone e cila shërbeu për trafikimin e lëndës si dhe janë arrestuar shtetasit A.R dhe D.K.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.