“Astiri”/ PD-LSI bashkohen në protestë: Nëse ka arrestime, e gjithë Tirana do… (VIDEO)

Pas tejkalimit të parashikimeve ditën e djeshme, kur e bllokuan aksin që të çon nga Pallati me Shigjeta te sheshi “Shqiponja” për 4 orë, banorët e “Astirit” kanë dalë sërish sot në protestë.

Tensioni i ditës së djeshme ku ata pretendonin se ishin rrethuar nga policia dhe FNSH që kishte marrë urdhër të kryente arrestime, duket se ka bërë që e gjithë opozita të dalë sot përkrah tyre.

Përveç, deputetëve Klevis Balliu dhe Endrit Braimllari që janë të zakonshëm me praninë e tyre, sot te “Unaza e Re” është shfaqur edhe kreu i Grupit të LSI, Petrit Vasili, ndërsa pritet të shkojë edhe Monika Kryemadhi.



Gjithë angazhimi i sotëm duket se e ka burimin te përplasja e djeshme me policinë, gjë që bëri që vetë kryedemokrati Lulzim Basha të qëndronte përkrah banorëve për më shumë se 2 orë, derisa doli garant se nuk do të kishte arrestime.

Ndërkohë, në ditën e 137 të protestës banorët vijojnë të mbajnë të bllokuar rrugën prej më shumë se një ore dhe kundërshtojnë kërkesën e policisë së Tiranës që të vijojnë protestën në trotuar.

Nga protesta, Petrit Vasili nuk i kurseu akuzat ndaj qeverisë aktuale, duke thënë se do ta rrëzojnë me pahir këtë “regjim”.

“Ju jeni përballur këto ditë të fundit me një polici që është kthyer në një bandë hajnash. Këta kanë zgjedhur ta plaçkisin popullin, këta kanë zgjedhur që ta trembin popullin, por asnjë s’ka frikë nga ata. Këta po e bëjnë më të zi fundin e tyre. Koha e tyre ka marrë fund, janë kthyer në kufoma politike që qelben erë. Meqenëse nuk do largohen me të mirë populli do i largojë me pahir. Po ruajnë me policë një tufë hajdutësh që me paturpësinë më të madhe po shkojnë në Parlament. Ju jeni pa gjumë, ne jemi pa gjumë. Ne jemi me ju”, tha Vasili.


Comments are closed.