Letërsia shqipe në Panairin e Librit në Lajpcig (Foto)

Letërsia shqipe do të jetë e pranishme në Panairin e Librit në Lajpcig nga data 21 deri 24 mars. Përveç të ftuarve dhe programit të pasur me aktivitete, prezantohet dhe katalogu në anglisht me veprat dhe autorët që kanë fituar çmimet më të rëndësishme të vitit 2018.

Henrik S.G. me “Sonatë për gruan e një tjetri” fitues i Çmimit Kombëtar të Letërsisë, akorduar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë; Ardian Kyçyku me “Ati”, çmimi i autorit të vitit nga Akademia “Kult”, Virgjil Muçi me “Piramida e shpirtrave” , çmimi “Kadare” nga Fondacioni “MAPO”, Brajan Sukaj me “Ciklopi”, çmimi për krijimtarinë më të mirë të vitit akorduar nga Shoqata e Botuesve shqiptarë, Mitrush Kuteli (in memoriam) me “Përralla të moçme shqiptare”, çmimi i Bibliofilisë, akorduar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Janë përfshirë gjithashtu në këtë katalog shkrimtarët më të njohur për vitin 2018 me botimet e tyre jashtë vendit: Ridvan Dibra, i nominuar për Çmimin Ballkanika me romanin “Legjenda e vetmisë”.

Gjithashtu ky roman i përkthyer në frëngjisht nga përkthyesja Evelyne Noygues dhe i botuar nga shtëpia botuese “Le Ver à Soie” është përzgjedhur në 5 librat më të mirë për Çmimin e përkthimit të vitit në Francë. Luljeta Lleshanaku, libri i së cilës “Negative space”, ishte gjithashtu i përzgjedhur në 5 librat më të mirë për PEN Literary Award for Poetry in Translation.



Për herë të parë në katalogun e autorëve janë përfshirë edhe dy përkthyeset më të suksesshme të vitit për përkthimet nga gjuha shqipe: Ani Gjika, përkthyesja e librit të Luljeta Lleshanakut “Negative space”, finaliste për PEN Literary Award for Poetry in Translation, Evelyne Noygues, gjithashtu finaliste për Çmimin e përkthimit më të mirë në Francë.

Gazeta Shqip





Comments are closed.