Sulmi në Zelandën e Re: Tregues që racizmi vret

Shefja për të drejta të njeriut e Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, tha se ekziston një lidhje midis politikave populiste dhe sulmeve raciste. Ajo i bëri komentet në një seancë të Këshillit për të Drejta të Njeriut të OKB-së, në Gjenevë, në ditën kur një sulm anti-mysliman në Zelandë të Re la të vrarë 49 vetë.

Debati kushtuar “rritjes së populizmit nacionalist dhe ideologjive ekstremiste supremaciste” ishte planifikuar shumë kohë përpara sulmit në qytetin Kristçërç. “Sulmi vrasës islamofobik dhe terrorist, vetëm disa orë më parë, në dy xhami në Zelandën e Re është një tjetër kujtesë e tmerrshme që racizmi vret”, tha Bachelet pasi diplomatët nga 47 vende anëtare të Këshillit mbajtën një minutë heshtje për viktimat.

Bachelet u bëri thirrje shteteve që të ndalojnë gjuhën e urrejtjes, të nisin fushata edukimi për të drejtat e njeriut dhe të rrisin vetëdijen për diversitetin në shoqëri. “Ju mund të brengoseni për vedin tuaj dhe në të njëjtën kohë edhe për botën”, tha ajo.

Nga të shtënat në dy xhami në Kristçërç të Zelandës së Re u vranë 49 vetë dhe u plagosën rëndë 20 të tjerë. Policia atje konfirmoi se një burrë u akuzua për vrasje dhe se ai do të paraqitet para gjykatës mëngjesin e së shtunës.







Comments are closed.