Protesta/ SHBA fshikullon opozitën: Mos pengoi punën e Parlamentit!

Opozita do të protestojë nesër në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me një strategji që mund të çojë deri në ngujim poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama.

Në tubim pritet të mos mungojë as dhuna, ndaj njësitë diplomatike në Tiranë janë vendosur në alarm prej asaj që mund të prodhojë protesta e opozitës.

Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook, duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje nga opozita dhe kërkon që të mos pengohet puna e Parlamentit.

“Pavarësisht se protesta paqësore është një shtyllë themelore e demokracisë, nxitja apo kryerja e veprimeve të dhunshme, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës publike, janë të paligjshme. Ne i nxisim të gjithë aktorët e demokracisë shqiptare që të ushtrojnë vetëpërmbajtje në protestën e 16 marsit”, thuhet në njoftim.

Aty gjithashtu theksohet se “Ambasada e Shteteve të Bashkuara i konsideron Qeverinë dhe Parlamentin aktual të Shqipërisë të zgjedhura në mënyrë legjitime nëpërmjet zgjedhjeve të vitit 2017, të njohura ndërkombëtarisht”.

“Ne vlerësojmë punën e mirë që është bërë në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, si dhe përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka ende punë për të bërë”, vijon reagimi.

Por ambasada e SHBA fshikullon ashpër PD, LSI dhe aletatët, duke thënë se ata braktisën misionin e tyre dhe lanë në baltë qytetarët duke djegur mandatet.

“Ndërkohë që, ata ish-anëtarë të Parlamentit të cilët vendosën të braktisin mandatet, hoqën dorë nga detyrimet e tyre ndaj qytetarëve shqiptarë, duhet të lejojnë ata që duan të punojnë për të ardhmen e vendit të bëjnë punën e tyre. Ne mbështesim të gjithë ata që vazhdojnë të jenë të përfshirë në procesin demokratik në Parlament, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë të ecë përpara, drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, theksohet nga ambasada amerikane.









Comments are closed.