Kush ishte i riu që ju bë pritë dje te stadiumi “Dinamo”? (EMRI & FOTO)

Një 26-vjeçar u qëllua me armë rreth orës 21:50 të mbrëmjes së djeshme në rrugën “Gjik Kuqali”, zona e ish-stadiumit “Dinamo”.

Djali i plagosur mori një plumb në këmbë dhe për fat të mirë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai është identifikuar si Enea Keqa.

Por çfarë fshihet pas atentatit të dështuar ndaj 26-vjeçarit?

Sipas hetuesve në vendngjarje ka pasur një shkëmbim zjarri mes dy automjetesh, konkretisht një “Benz” dhe një “Polo”.

Nuk dihet nëse i plagosuri është pjesë e konfliktit apo është gjendur aty rastësisht. Ajo që e bënë të vështirë identifikimin e autorëve është qëndrimi i të plagosurit, i cili mësohet se nuk ka pranuar të flasë për ngjarjen kur është pyetur nga efektivët e policisë.

Autori i ngjarjes mbante të veshur një xhup të zi, kapele dhe tuta të kuqe. Dyshohet se shkak për nxjerrjen e armëve është bërë një zënkë mes një grupi të rinjsh.

Në drejtim të Enea Keqes është qëlluar 3 herë, por fatmirësisht ai ka shpëtuar, pasi vetëm një plumb e ka kapur në këmbë.

Makina me të cilën autorët u larguan dyshohet se është fshehur në një nga garazhet në këtë zonë për të humbur gjurmët. Pasi kanë dëgjuar të shtënat me armë zjarri kanë qenë banorët e zonës që kanë lajmëruar policinë.

Uniformat Blu rrethuan menjëherë vendin e ngjarjes për të mbledhur provat, ndërsa janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë së bizneseve pranë vendit të ngjarjes për të identifikuar autorët.









Comments are closed.