Kiço Blushi, shkrimtari që do të mungojë

Kiço Blushi, një personazh me një kontribut të rëndësishëm në historinë e letrave dhe mendimit shqip pas viteve 70-të, u shua të premten pas një sëmundjeje të gjatë. Dramaturg, shkrimtar, skenarist, publicist, Blushi kishte gjithë cilësitë e një intelektuali të angazhuar, që i foli aq shumë kohës përmes veprave që shkroi. Në historinë tonë letrare, ai do të kujtohet si prozatori i talentuar i viteve 70-80-të që i dha jetë personazheve përmes ekranizimit. Autor i dhjetëra skenarëve që dallojnë për qasjen ndryshe të jetës dhe kurajon për të prekur tema delikate për kohën, ai shpejt kuptoi aftësinë e letërsisë për tu bërë lehtë pjesë e jetës së njerëzve, qoftë edhe përmes ekranit, duke ndërtuar një kinema e cila si asnjëherë më parë po komunikonte me publikun.

Ishte viti 1975 kur shkroi komedinë “Çifti i lumtur” e cila do të ekranizohej nën regjinë e Pirro Milanit. Historia e dy të rinjve që vinin nga besime të ndryshme fetare, por që të dashuruar me njëri tjetrin vendosin të lidhin kurorë, do të nxjerrë në pah defekte të shoqërisë së kohës, por në të njëjtën kohë do ti ofrojë publikut një histori të ndjerë lirike mbi dashurinë.

Në një kinema të përfshirë nga skematizmi, Kiço Blushi pati aftësinë ti shmangej formës duke treguar jetën.





I tillë është dhe filmi për fëmijë “Beni ecën vetë”, i cili vazhdon të jetë një ndër filmat dhe librat më të mirë, edukues për një brez të tërë pas viteve 1975. Kjo aftësi e tij për gjetur tema që i jepnin më shumë hapësirë, e në të njëjtën kohë, i shmangej soc-realizmit, ndjehet pothuajse në të gjitha librat dhe skenarët që shkroi.

”Me idenë e bukur të njohjes së jetës qysh i vogël dhe nevojën për atmosferë sociale e solidaritet, për imagjinatë dhe fantazi “realiste” te moshat fëminore, sikurse edhe fillimit të një procesi të natyrshëm dhe organik në edukimin e tyre, përfshi humorin e këndshëm dhe vështrimin “fëminor” ndaj dukurive, e kanë bërë këtë film nga më të pëlqyeshmit në llojin e vet, fitues edhe i kupës së Festivalit të Parë të Filmit Shqiptar”, shkruan kritiku i kinemasë Josif Papagjoni për këtë film.

Tregimet e botuara përgjatë viteve, dallojnë lehtë tregimtarin që zotëron mirë këtë gjini të vështirë për çdo autor.  Ndoshta tregimtari brenda tij ia bëri më të lehtë rrugën për të zotëruar dhe forma të tjera të shkrimit siç është drama apo komedia. Në historinë letrare të këtij gjysmë shekulli, emri i Kiço Blushit është pjesë e qenësishme e saj. Qasja e tij bashkëkohore ndaj letërsisë dhe mendimit kritik, do të shihet dhe gjatë viteve kur punoi në revistën “Nëntori”, si kryeredaktor.

Djaloshi nga Korça që udhëtoi drejt Tiranës për të studiuar letërsi, e lidhte ëndrrën me studime në këtë Fakultet vetëm me dëshirën e madhe për shkrimin. Rrugëtimi i tij pas studimeve, është udhëtimi i një artisti në Shqipërinë e dy kohëve, atë të komunizmit me sfidën për të mos humbur shkrimtarin brenda tij, dhe tranzicionin  e gjatë ku zëri i shkrimtarit do të ishte shpesh në ball të problemeve të kohës. Nëse shohim punën e tij për gati dy dekada (1968-1986) pranë redaksisë së filmit artistik në kinostudion “Shqipëria e re”, do të shohim modelin emancipues për një shoqëri totalitare që erdhi përmes penës së Kiço Blushit. Asnjëherë më parë jeta nuk kishte qenë aq e pranishme në ekran sa në skenarët e tij. Karakteret e tij vazhdojnë të jetojnë në memorien e publikut dhe pse takimet me ta mund të jenë gjatë në kohë. I tillë është dhe Vlash Zaka tek “Pylli i lirisë” më 1976. Heroi në skenarët e Kiço Blushit të jep dimensionin e lirisë, pasi është një hero që duket sikur vjen nga thellësitë letrare. Trajtimi i temave historike me objektivitet është një tjetër meritë e kinemasë së Blushit. “Tokë e përgjakur”, 1976, një triptik jete ku pozicionet shoqërore për pronën ndryshojnë nga i poseduar në posedues, nga i poshtëruar në njeri të lirë, ndonëse konceptimi vuan nga modelimet estetike të realizmit socialist me një shoqëri të ndarë gjegjësisht parimit të “luftës së klasave”, të pasur-të varfër, atdhetarë-tradhtarë, komunistë-antikomunistë, është një film që të bën të reflektosh.

“Koncert në vitin 1936” ku është bashkëskenarist me shkrimtarin Dhimitër Shuteriqi, është një ndër filmat më jetëgjatë në historinë e kinematografisë shqiptare, e në të njëjtën kohë me një univers kulturor që i dha shumë kohës. Duke evokuar një personazh të rëndësishëm të muzikës operistike shqiptare si Tefta Tashko Koço, ky film jep një tablo sarkastike plot shpoti, humor e ironi ndaj administratës kinse “perëndimore” të periudhës së monarkisë si dhe politikanëve të korruptuar.

Aftësia për të ndërtuar karaktere është një aftësi që e bënte kinemanë tonë superiore dhe pse u ndërtuar në kushtet më të varfëra që mund të kishte një kinematografi.

Por nuk mund të flasim për Kiço Blushin pa folur për filmin “Nëntori i dytë”, ku sërish nën bashkëpunimin me Dhimitër Shuteriqin arrijnë ti japin jetë ngjarjes më të rëndësishme në historinë e ndërtimit të shtetit shqiptar. Ky film është një kontribut tjetër në konfigurimin e një rrugëtimi që vazhdon ti motivojë shqiptarët.

Filma të tjerë si “Në shtëpinë tonë” 1979, “Militanti” 1984, “Nxënësit e klasës sime”,” Një natë pa dritë”, 1981; “Një telegram, një këngë”, 1982; “Gabimi”, 1986 etj., na sjellin dimensionin e një artisti që ndërtoi historinë e skenarit shqiptar. Kontributi i tij është dhe në filmin dokumentar në realizime si “Cirku ynë”, 1971, “Festa e madhe”, 1972; “Arti i gdhendjes në dru”, 1974; “Gjuhë qe nuk vdes”, 2002 etj. Në gjininë e filmit vizatimor shkroi skenarët: Shoferi i vogël, 1977; Vëth në vesh, 1982 etj.

Një kohë të gjatë ka punuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, kryeredaktor në revistën “Nëntori”.

Pas viteve 90-të, përfshirja e tij në politikë si deputet i Kuvendit do ta bënte atë një zë të qenësishëm në kapërcyell të një kohe ku kontributi i intelektualit ishte i nevojshëm.

Kritika do të flasë për veprën e Blushit dhe për modelin që ai dhe brezi që ai përfaqëson i dhanë vendit.

Por lexuesi do ta kujtojë gjithnjë si shkrimtarin që me tregimet, dramat, dhe skenarët iluminoi një kohë të trazuar, duke i dhënë një tablo tjetër historisë.

Gazeta Shqip





Comments are closed.