Sa shumë abuzime! Të tjerë tenderë anulohen për Unazën e Re

Qeveria mund të anulojë tenderët edhe për dy lotet e tjera të “Unazës së re”, duke shfuqizuar kontratat me kompanitë fituese. Vendimi, i cili përflitet prej disa javësh, pritet të zyrtarizohet shumë shpejt.

Punimet për segmentin e unazës, nga “Pallati me shigjeta” deri te rreth-rrotullimi i “Shqiponjës”, janë ndarë në 3 lote. Tenderi për lotin e parë u fitua nga kompania “DH Albania”, por pas shpërthimit të skandalit me falsifikimin e dokumenteve, Autoriteti Rrugor Shqiptar u detyrua ta anulonte kontratën me këtë kompani.

Ky segment u ritenderua, por edhe pse në tenderin e dytë ofertat zbritën deri në 4 milionë euro më pak nga hera e parë, Autoriteti Rrugor sërish nuk shpalli asnjë fitues, duke skualifikuar të 6 ofertat pjesëmarrëse me argumentin se nuk përmbushnin kriteret teknike.



Për dy lotet e tjera, tenderët janë fituar nga “Salillari” dhe “Viktoria Invest”. Këto kompani nisën madje edhe punimet në terren, por prej disa javësh makineritë janë larguar të gjitha. Burime konfidenciale i thanë Top Channel se, edhe këto dy tenderë mund të anulohen, ndërkohë që projekti i segmentit nga “Pallati me shigjeta” deri te rreth-rrotullimi i “Shqiponjës” do të ribëhet nga e para.

Këtë të diel, Presidenti i Republikës Ilir Meta i kërkoi qeverisë publikisht që të anulojë komplet projektin për këtë segment, pasi sipas tij ka shkelje ligjore. Mbetet e paqartë nëse presidenti kishte informacion paraprak se qeveria po e shqyrtonte ndërkohë anulimin e projektit. Por, përtej këtyre hollësive, tashmë duket e sigurt se projekti i shumëpërfolur i unazës, në segmentin nga “Pallati me shigjeta” deri te rreth-rrotullimi do të ndryshojë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.