Pas daljes nga BE-ja, Britania gjen mbështetje te Japonia

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe deklaroi se e gjithë bota do që Mbretëria e Bashkuar të dalë me marrëveshje nga Bashkimi Europian.

Në një konferencë për mediat në Londër, së bashku me kryeministren britanike Theresa May, Abe shprehu mbështetjen e tij të plotë për marrëveshjen për “Brexit”. Marrëveshja është negociuar nga May dhe do të votohet në Parlamentin britanik të martën.





May tha se largimi nga BE apo Brexit, ka ofruar një mundësi të paparë për vendet që t’i forcojnë marrëdhëniet.

May dhe Abe u zotuan se Britania dhe Japonia do të lidhin marrëveshje tregtare pas Brexit-it, si dhe do të rrisin investimet.

“Është dëshirë e madhe e Japonisë që ta zhvillojë më tej këtë partneritet me Mbretërinë e Bashkuar, të investojë më shumë në vendin tuaj dhe të gëzojë rritje të mëtejshme ekonomike me Mbretërinë e Bashkuar. Andaj, shpresojmë se ‘Brexit’ pa marrëveshje do të shmanget dhe këtë në fakt e dëshiron gjithë bota”, tha Abe.

May e ka arritur marrëveshjen për “Brexit” me Bashkimin Europian në muajin nëntor. Marrëveshja kundërshtohet edhe nga deputetë të partisë së saj, edhe nga ata të opozitës, të cilët thonë se ajo nuk e mbron mjaftueshëm Britaninë ose ruan lidhje tepër të afërta me BE-në.

Votimi në Parlamentin britanik është anuluar muajin e kaluar nga vetë May, e cila ka pranuar se plani i saj nuk ka mbështetje.

11 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)







Comments are closed.