Shqiptari Arijanet Muric shkëlqen sërish, buzëqesh Guardiola

Portieri i Kosovës, Aro Muric, ka luajtur ndeshjen më të rëndësishme deri tani në karrierë për klube me Manchester Cityn në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Ligës angleze ndaj Burton Albion.

“Citizens” triumfuan 9-0, duke regjistuar fitoren më të thellë në histori të gjysmëfinales në këtë garë. Muric gjatë tërë ndeshjes nuk pati shumë punë, duke bërë vetëm një pritje.

Megjithatë, analistët e njohur në Angli, pas përfundimit të ndeshjes vlerësuan 20-vjeçarin për vetëbesimin e tij, sidomos lojën me këmbë, e cila ngjan shumë me portierin e parë të City-t, Ederson.

Trajneri Pep Guardiola sivjet e ka inkuadruar Muricin në të gjitha ndeshjet e Carabao Cup. Ndeshja kthyese ndaj Burton zhvillohet me 23 janar.

Meqë kampioni aktual anglez është me një këmbë në finale të kësaj gare, sipas të gjitha gjasave Muric muajin e ardhshëm do të jetë startues në finale ndaj Tottenhamit ose Chelseat.

10 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)









Comments are closed.