“Astiri”, Basha: Banorët hodhën qeverinë në Lanë, së shpejti edhe Ramën

Moti i keq nuk i ka ndalur banorët e “Astirit” që të dalin sërish sot në protestë kundër projektit të “Unazës së Madhe” të kryeqytetit dhe në krah të tyre ka dalë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Lideri i opozitës shpërtheu në akuza kundër kryeministrit Edi Rama dhe tha se “qëndresa e banorëve përmbysi gjysmën e qeverisë, ndërsa gjysmën tjetër do ta përmbysë shumë shpejt”.

“Asgjë nuk është më e fuqishme sesa një kauzë e vërtetë e mbështetur nga njerëz të bashkuar . Merita e madhe e këtyre banorëve është se vegla më tinëzare e Edi Ramës, përçarja përmes kërcënimeve, shantazheve e propagandës nuk pi ujë. Nuk ja dolën t’i përçajnë këta banorë. Këta banorë me qëndresën e tyre e çanë në gjysmë qeverinë. Një gjysmë ja kanë hedhur në lanë dhe gjysmën tjetër do t’ja hedhin në Lanë shumë shpejt”, tha Basha.





Kreu i PD shtoi se denoncimet e opozitës faktuan lidhjen mes kompanisë fantazëm që kishte marrë tenderin dhe planit për të zhvendosur Lanën për llogari të biznesmenit, siç e cilëson ai, trafikantit Edmond Bego.

“Lajmi sot është ajo që ka zbuluar “Zëri i Amerikës”, pasi ne e kemi thënë që kjo është një aferë. Të gjithë e dinë se si nisi kjo aferë. U turrën pa marrë leje për të prishur shtëpitë, pa çarë kokën për banorët. Banorëve i vërsulën policinë e shtetit dhe atë bashkiake, nga Rama te  Veliaj e Gjiknuri hidhnin vallen e hienave duke shantazhuar banorët. Qëndresa e banorëve, bashkë me opozitën dhe disa gazetarë nxorën aferën korruptive të një kompanie fantazëm, të një plani për të zhvendosur Lanën dhe për të shkatërruar shtëpitë e banorëve që të mos prekej rezidenca e një trafikanti droge”, deklaroi Basha.

10 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)





Comments are closed.