Mosdekretimi i qeverisë “Rama3” dhe rasti Bushati, reagon Presidenti Meta

Presidenti Ilir Meta vendosi të mos dekretojë shkarkimin e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe futjen e 5 ministrave të rinj në kabinetin e qeverisë Rama, duke krijuar një precedentë tjetër pas rastit “Lleshaj” që shënoi një përplasje mes tij dhe kryeministrit Edi Rama.

Një ndër propozimet e Ramës më të komentuara ka qenë ai i Gent Cakajt si zëvendësues i Bushatit në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, një post ky strategjik dhe i rëndësisë së lartë për vendin, në një kohë kur çështja e integrimit europian dhe marrëveshjet që po negociohen me Greqinë fqinje mbeten tema të nxehta që kërkojnë zgjidhje.

Ambienti politik dhe ai mediatik po “zien” për çështjen Cakaj, shumë më tepër pas vendimit të Meta për të mos e dekretuar atë, ndaj mediat me interes kanë pyetur Kreun e Shtetit për qëndrimin e tij gjatë një vizite që ai bëri këtë të mërkurë në Kavajë.





Ai ka sqaruar se “për të gjithë emrat e rinj apo figurat e reja që promovohen për ministra, pra që propozohen si të tillë po bëhet detyra normale, me shumë përgjegjësi për verifikimin e integritetit të tyre në mënyrë që të respektojmë institucionin e ministrit, si një institucion shumë të rëndësishëm kushtetues”.

Megjithatë, Meta është shprehur se nuk do të vendosë në minutat e fundit, por do të përgjigjet me dekret në momentin që do të ketë në dorë “përgjigjen e kërkuar nga institucionet përkatëse, për ministrat e rinj.

“Do të bëjmë të gjitha veprimet përfundimtare dhe publike, me transparencë maksimale”, ka nënvizuar Kreu i Shtetit

Pyetjes së gazetarëve se mosdekretimi i shkarkimit të Bushatit është pjesë e një ridimensionimi të rolit të tij në politikën e jashtme të vendit, Meta i është përgjigjur duke thënë se “po përmbush të gjitha detyrimet kushtetuese që ka Presidenti i Republikës në këtë rast”.

9 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)





Comments are closed.