Investimi për përmbytjet, autostrada Tiranë-Durrës e bllokuar për 2 javë

Ashtu siç ishte paralajmëruar prej disa ditësh nga ARRSH, autostrada Tiranë-Durrës është bllokuar prej orës 05:00 të mëngjesit të sotëm. Segmenti Tiranë-Qafë Kashar është mbyllur për qarkullimin e automjeteve, për t’i lejuar kështu ARRSH-së ndërhyrjen për të shmangur përmbytjet në dy pika vitale të këtij aksi.

Punimet parashikohet të zgjasin rreth 2 javë dhe ko ndërhyrje cilësohet e domosdoshme pavarësisht se autostrada parashikohet të zgjerohet.

“Do të fillojë ndërhyrja emergjente për përmirësimin e situatës së përmbytjeve me ndërtimin e dy (2) tombinove në segmentin rrugor (autostrada) Tiranë–Qafë Kashar (kthesa Rinas) në kilometrin 6+600 dhe 6+800 (Kastrati & Alba-Elettrica). Punimet parashikohet të realizohen sipas grafikut te punimeve të miratuar”, njofton ARRSH.



Ndërkohë, trafiku do të devijohet për të gjitha mjetet në rrugët dytësore, të cilat do të funksionojnë me një drejtim lëvizje.

ARRSH gjithashtu rekomandon përdoruesit e autostradës që gjatë kësaj kohe të zgjedhin rrugë alternative për lëvizjet në drejtim të veriut (nga Kamza) dhe në drejtim të jugut (nga Ndroqi ose Elbasani).

“Është bërë një studim hidrik për zonën me kërkesë të bashkisë dhe prefekturës Tiranë dhe studimi ka konsistuar në rritjen e kapacitetit të këtyre turbinave dhe tashmë në kuadër të projektit të mirëmbajtjes së performancës të Bankës Botërore është bërë i mundur ekzekutimi i tyre”, tha dje zëvendësdrejtori i ARRSH-së, Ergys Verdho.

Ndërkohë Drejtori i Mirëmbajtjes në Bankën Botërore shtoi se më vonë parashikohet një zgjerim i autostradës.

“Në rast se do të zgjerohet, do ketë një zgjerim të mundshëm të autostradës. Këto do jenë vendime politike, ose vendime më të mëdha, atëherë automatikisht do të bëhet dhe zgjerimi i këtyre turbinave. Por kjo është konsideruar nga ARRSH si ndërhyrje emergjente për të zgjidhur këtë situatë”, deklaroi Klodian Sava.

04 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.