Fuga: Gjeologjia me brekë nëpër këmbë, Rama bisedë me pedagogë të lodhur

Në harkun kohor të 12 orëve, kryeministri Edi Rama ka mundur të hyjë në dy universitete për të kryer dialogun e shumë kërkuar prej tij me studentët protestues, por ka hasur në kundërshtime dhe ironi nga të rinjtë.

Te fakulteti i Gjeologji Minierave, në sallën e improvizuar dallohej qartë mungesa e studentëve dhe prezenca e pedagogëve të moshuar dhe s’pati dialog por monolog, ndërsa te UBT në Kamëz, një studente e vendosi Ramën me shpatulla pas murit, pasi i tha se rektori i kishte gënjyer duke mos i thënë që në takim do të shkonte edhe kryeministri.

Në vazhdën e këtyre takimeve, asgjë s’ka ndryshuar për mijëra studentët të tjerë, të cilët njëjtë si dje janë grumbulluar të gjithë para Kryeministrisë për të kërkuar plotësimin e 8 kërkesave që i kanë parashtruar qeverisë.

Por për situatën e krijuar ka folur edhe akademiku i njohur Artan Fuga, i cili shkruan se “pas 14 ditësh protestash studentore dhe që studentët kanë braktisur mësimin, gjendja është e trishtë”.

“Shpresa ime se më në fund do të hapeshin, shtroheshin dhe zgjidheshin problemet e rënda të akumuluara prej njëqind vjetësh në arsimin, shkencën dhe edukimin shkollor të rinisë shqiptare, që Shqipëria t’i bashkohej emancipimit dhe revolucionit të madh shkencor që ka përfshirë të gjithë botën, po zverdhet, zbehet, bjerret, si gjethet në dimër”, shprehet Fuga.

Duke iu referuar takimit të kryeministrit te Gjeologjiku, Fuga arrin në përfundimin se “qeveria nuk ka ndërmend të pranojë se pa hequr këtë kupolë ligjore që i merr frymën dhe e bën inefikas arsimin e lartë shqiptar, që i merr jetën rinisë shqiptare dhe e bën atë të paaftë për të gjithë jetën, kriza dhe kalbëzimi kombëtar do të vazhdojë”.

“Nuk do ta abrogojë ligjin sepse një ligj i ri do t’a fuste vendin në një krizë politike meqë ky parlament e ka hallin për pushtetin e pesë vjetëve të ardhshme dhe jo për t’iu përgjigjur nevojave të rinisë për arsim. Dhe në vend të bëjë këtë bashkëbisedon te Gjeologjiku me një dorë pedagogësh të lodhur duke harruar se industria e gjelogjisë dhe e minierave në Shqipëri i ka mbathjet në fund të këmbëve”, ironizon pedagogu i gazetarisë.

Ai vazhdon më tej se as dialogu s’vlen, pasi “politika i ka tradhëtuar studentët dhe pedagogët që luftojmë prej vitesh për një universitet të ri”.

Fuga nuk kursen as kritikat ndaj opozitës, duke thënë se pasi e votuan ligjin “shkatërrimtar” të Arsimit të Lartë tashmë rreshtohen paturpësisht në krah të studentëve.

“Opozita po nxjerr disa ish universitarë deputetë që tani kujtohen të thonë se përgjegjësia është e ligjit për arsimin e lartë, pikërisht nga ata që katër vite më parë ishin midis atyre që nën zë ose me veprime mbështesnin pikërisht atë ligj të sotëm sotëm që kritikojnë dhe bëhen trima pas kuvendi! E mbështesnin si pedagogë tani e kritikojnë si politikanë! Opozita nuk ka një ligj alternativ për arsimin sepse nuk ka dashur ta bëjë për interesat e veta të ngushta. Cfarë i thotë rinisë: përmbyseni këtë qeveri, kur nuk u premton asgjë studentëve!”, konstaton akademiku i njohur.

Fuga shton më tej se edhe studentët nuk po dinë se çfarë duhet të kërkojnë dhe si, pasi pas dyjavësh durimi ka sosur. Sipas Fugës, “dikush apo disa i pengojnë studentët, ata që njoh unë me mijra, të artikulojnë kërkesat që duhen që ta shkundin njëherë e mirë barrën që u kanë ngarkuar mbi supe dhe që i bën skllevër të humbur për jetë”.

“Ato 8 kërkesa as nuk dihet se kush i ka shtruar, as nuk dihet se ku janë konceptuar, as nuk u del Zot njeri! Duke e mbuluar gjithçka me një vello misteri! Ato kërkesa ashtu sikurse janë formuluar, pa asnjë shpjegim, të shkëputura nga kritika e mekanizmave konkrete të zhvillimit të shkencës dhe arsimit, nuk të cojnë dot askund! Mirë që studentët nuk i kanë, por përse nuk dëgjojnë kur u thuhet se ka gjëra të tjera që duhet të kërkojnë nëse duan të dalin nga robëria dhe bodrumet ku i ka futur shoqëria e prindërve të tyre qofshin këta të papunë, politikanë apo pedagogë? Përse nuk dëgjojnë? Dikush i pengon!”, thekson Fuga.

18 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.