A e ndihmoi Hungaria ish-kryeministrin Gruevski të arratisej?

Arratisja e ish-kryeministrit maqedonas nga vendlindja e tij në Hungari i ngjason një filmi thriller politik. Madje edhe mbrojtësi i shenjtë i deklaruar i Nikola Gruevskit, Viktor Orban, e quan atë, me njëfarë moskokëçarjeje, një “histori interesante, emocionuese sa të gjithë thrillerët. “Shumica e detajeve të këtij krimi janë të njohura dhe të konfirmuara zyrtarisht: Gruevski dënohet me dy vjet burg për korrupsion dhe janë duke u zhvilluar edhe procese të tjera për të. Ai në vend që të shkojë në burg në Shkup, paraqitet më 10 nëntor në ambasadën hungareze në Tiranë. Të nesërmen ai u shoqërua nga diplomatë hungarezë me automjete ambasade nëpërmjet Malit të Zi dhe Serbisë në Hungari, ku mbërriti në mëngjesin e 12 nëntorit. Megjithatë, është e paqartë se si Gruevski iku nga Maqedonia në Shqipëri.

Qeveria maqedonase e ka të vështirë dhënien e përgjigjes. E nuk është për t’u habitur, sepse pavarësisht si është ajo, ngjarja hedh dritë të errët mbi kabinetin e reformave nën udhëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev. Ose qeveria e tij nuk ishte aq sa duhet kompetente për të mbikqyrur Gruevskin, pavarësisht qëllimeve të tij të njohura të largimit, ose ajo në heshtje e la të shpëtojë të pandehurin e dënuar. Veçanërisht e pakëndshme është që këtë të enjte, Parlamenti Evropian do ta diskutojë situatën në Maqedoni dhe poashtu rasti i Grusevskit do të diskutohet.

Katër apartamentet e Gruevskit – dy si adresa fiktive?

Një ekip hulumtues i Deutsche Welle-s ka mbledhur të dhënat rreth arratisjes së ish-kryeministrit nga Maqedonia në Shqipëri. Sipas hulumtimeve, ish- kryeministri maqedonas në rrethin e tij personal kishte lënë përshtypjen se po përgatitej për burgimin e tij, ndërsa në të vërtetë ai po përgatitej të ikte në Hungari nëpërmjet Shqipërisë. Sipas hulumtimit, edhe diplomatët hungarezë mund t’i kenë ndihmuar atij.

Gazetarët e Deutsche Welle-s biseduan me fqinjët e Gruevskit, me punonjës të Hotel Marriot në Shkup, ku për herë të fundit është parë Gruevski, me punonjës nga Departamenti i Ruajtjes së Personave të Ministrisë së Brendshme, të cilët gjithashtu janë përgjegjës për Gruevskin, si edhe punonjës të autoriteteve financiare dhe gjyqësore.

Sipas informatave të Deutsche Welles, Gruevski ka përdorur në shtëpinë  e tij në qendër të Shkupit në total katër apartamente, edhe pse zyrtarisht vetëm dy i takojnë atij. Dy të tjerat ai mund t’i ketë përdorur për të fshehur vendqëndrimin e tij përpara fillimit të arratisjes. Në ditët para arratisjes së tij, Gruevski thuhet se i ka shtruar gjashtë truprojave të tij pyetje të shumta lidhur me logjistikën e burgjeve maqedonase dhe i ka këshilluar ata të blejnë rroba të përshtatshme për burgjet. Prandaj, ata kishin përshtypjen se ai donte të fillonte paraburgimin e tij. Kontakt me ta kishte së fundi ai kishte në mbrëmjen e 8 nëntorit. Në të njëjtën kohë, Gruevski në ditët para arratisjes kishte tërhequr një shumë totale prej rreth 100,000 eurosh nga xhirollogaria e tij maqedonase.

Së fundi, një dëshmitar, të cilin Deutsche Welle e intervistoi, thotë se e ka parë Gruevskin në mbrëmjen e 8 nëntorit, kur u largua nga Hotel Marriot në Shkup, i cili është në pronësi të kushëririt të Gruevskit, Sasho Mijalkov, ish-shefit të përfolur të shërbimit të fshehtë të Maqedonisë. Mijalkov jetonte në hotel deri në arrestimin e tij më 21 nëntor. Disa burime ia konfirmojnë Deutsche Welles se në tre javët e fundit në parkimin nëntokësor të Marriotit kaqnë qenë disa herë automjete të misionit diplomatik të Hungarisë në Beograd. Me kërkesë të Deutsche Welles, një zëdhënës i qeverisë hungareze nuk donte ta komentonte këtë informacion. Ai iu referua deklaratave të mëparshme se qeveria hungareze nuk ishte e përfshirë në ikjen e Gruevskit nga Maqedonia në Shqipëri.

28 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.