Befason Basha: Në 2019 ka zgjedhje parlamentare e vendore

“Një test i madh po afron”. Kjo ishte fjalia që i parapriu paralajmërimit të fortë të Lulzim Bashës nga Kosmaçi i Shkodrës për mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme vitin e ardhshëm.

Sipas kreut të PD, bashkë me zgjedhjet vendore që do të mbahen verën e ardhshme, mund të kemi edhe zgjedhje parlamentare, por kjo mbetet në dorë të qytetarëve.

“Vitin e ardhshëm do të kemi zgjedhjet vendore, të cilat mund të jenë fare mirë në të njëjtën kohë edhe me zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme. Do të jenë një shans i jashtëzakonshëm që ju të ushtroni të drejtën që keni për të vendosur se çfarë qeverisje doni. Unë jam këtu për t’ju komunikuar bindjen time se gjithë problemet mund të zgjidhen nëse ushtroni me mençuri zgjedhjen e drejtuesve të duhur si në nivel lokal edhe qendror”, deklaroi Basha teksa prezantoi programin e PD për bujqësinë.

Më tej lideri i opozitës theksoi se pushteti aktual është bërë me para dhe ushtohet për t’u pasuruar Edi Rama dhe ministrat e tij.

“Jemi futur në një rreth vicioz. E blejnë pushtetin me lekë dhe e përdorin për të vjedhur më shumë. Në këtë rreth vicioz janë një grup pushtetarësh që përfitojnë, por humb i gjithë populli. Në asnjë vend nuk janë braktisur fermerët si në Shqipëri, nga qeveria e Edi Ramës, as Kosova, shteti më i ri, as Bosnja se Maqedonia jo e jo”, nënvizoi Basha në takimin me fermerët.

24 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)





Comments are closed.