Tirana “flirton” me fitoren, Otto John i prish në fund festën

Fund drithërues në sfidën e Korçës mes Skënderbeut dhe Tiranës, ke deri 3 minuta para skadimit të kohës së rregullt bardheblutë e kryeqytetit ishin pranë një fitoreje të madhe, por që iu mohua nga Otto John, i cili kishte më pak se 10 minuta në fushë. Skuadra e Ze Marias bëri gjithçka mirë gjatë pjesës më të madhe të lojës, por pikërisht atëherë kur duhet të vendoste eksperienca dhe qetësia, Skënderbeu shënoi golin e barazimit, madje duke iu afruar edhe fitores në shtesë.

Një rezultat i mirë, por në njëfarë mënyrë zhgënjyes për mënyrën sesi rrodhën ngjarjet për Tiranën, që më shumë se për renditjen kjo pikë i vlen për moral para derbit me Partizanin.



Tirana u shfaq më e vendosur në lojën e saj që në fillim të takimit, teksa pretendoi për ndëshkimin me karton të kuq të Bruno Lulajt për ndërhyrjen ndaj Blazhevskit, por për kryesorin ishte i verdhë. Gjithsesi, bardheblutë e gjetën golin me Edon Hasanin në minutën e 20-të, pas një krosimi nga e djathta.

Tirana vijoi të ishte e qartë në lojë dhe në minutën e 26-të pretendoi për një tjetër karton të kuq ndaj Radasit, si lojtar i fundit, por edhe këtë radhë gjyqtari u mjaftua me të verdhin. Skuadrat shkuan me këtë rezultat (0-1) në pushimin mes pjesëve, ndërsa në fraksionin e dytë loja u bë edhe më e ashpër, me dyluftime të shumta, që e detyruan kryesorin nxirrte disa herë kartonin e verdhë.

Të dy trajnerët bënë zëvendësime në pjesën e dytë, me Ze Marian që ishte pa rrugëzgjidhje, duke futur Caken në vend të Berishës së dëmtuar. Nga ana tjetër, Shehi rifreskoi sulmin, me Otto Jonh që u hodh i fundit në fushë në minutën e 78-të. Pikërisht nga këmbët e këtij futbollisti u shënua goli i barazimit, pas një këndoreje. 1-1.

Turtulli bëri mrekullinë pak çaste më vonë, duke i mohuar golin Krasniqit dhe në anën tjetër Teqja doli në kohë për të mos lejuar Blazhevskin të shënonte golin e fitores për Tiranën. Përfundoi 1-1 në Korçë një sfidë plot emocione, që la të zhgënjyer Tiranën, ndërsa Skënderbeut i dha një pikë për të kryesuar i vetëm renditjen.

22 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.