Tiranë, konflikt me armë zjarri në lokalin e pikës së basteve

Një telefonatë për një plagosje me armë zjarri ka alarmuar sallën operative të Policisë së Tiranës, mbrëmjen e sotme.

Pas telefonatës, efektivë të policisë kanë shkuar në vendngjarje, por nga verifikimet e deritanishme nuk është evidentuar asnjë i plagosur.

Burime zyrtare bëjnë me dije se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes dy personave, ku njëri prej tyre ka qëlluar me armë. Policia thotë se nga përplasja nuk ka asnjë person të lënduar dhe se është shoqëruar në komisariat pronari i lokalit, një 35-vjeçar me iniciale L.L.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën “Shefqet Musaraj”, tek ish-Parku i Autobusave, pranë godinës së Policisë Bashkiake në kryeqytet.

Policia njofton se ka marrë një telefonatë ku dyshohet se një person ka plagosur me armë zjarri një shtetas, për të cilin thuhet paraprakisht se është pronari i një pike bastesh. Ka pasur një telefonatë në polici, ku njoftonte për të shtëna me armë dhe plagosjen e një personi.

“Më datë 17.09.2018, rreth orës 21:10, në një lokal në rrugën “Shefqet Musaraj”, shtetasi L. L., rreth 35 vjeç (pronari i lokalit) për motive të dobëta është konfliktuar me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, i cili gjatë konfliktit ka qëlluar me armë zjarri.

Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar. Është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme hetimore pronari i lokalit, shtetasi L. L., dhe po punohet për identifikimin dhe shoqërimin e shtetasit tjetër të përfshirë në konflikt”, – thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

17 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.