PAS “MREKULLISË SË MALLKUAR” TË AIR ALBANIA

Nga Astrit PATOZI

Si nuk bëmë një gjë për të qenë një herë të vetme! Që të mos ndyhet nga patetizmi i shpifur dhe nga propaganda arkaike.

Një palë po na e paraqesin si mrekullinë e tetë të botës faktin që ca avionë, të cilët do të ulen në Rinas prej dje, do të kenë të stampuar në trup flamurin dhe emrin e Shqipërisë.

Të tjerët po çjerrin faqet dhe kanë vënë kujën sikur kjo është dita e qametit, vetëm sepse po e pret shiritin qeveria e lidhur me krimin.

Ndërkohë që e vetmja gjë që do të kishte vlerë për shqiptarët, që fluturojnë, është se përse nga Tirana çmimet e biletave janë disafish më të shtrenjta se vendet e tjera të rajonit. Dhe a do të vijë ndonjëherë dita që kjo poshtërsi politike të ndreqet apo do të vazhdojë kështu përgjithmonë.

Këtë askush nuk ua thotë, sepse palëve ndërluftuese nuk u intereson fare ky si problem.

Jo vetëm ata që kanë ngjyer dorën ndër vite tek ky pisllëk korruptiv, por edhe të tjerët që mund të mos jenë përzier, nuk e çojnë fare ndërmend, e jo më të luajnë gishtin për ta zgjidhur ndonjëherë, po t’u vijë në dorë.

Sepse, si ata që po rrahin gjoksin, ashtu edhe të tjerët, që po tregojnë me gisht, nuk i shqetëson problemi real i njerëzve, sa kohë që u intereson vetëm tepsia, për të cilën po i nxjerrin sytë njëri-tjetrit.

16 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)









Comments are closed.