Hakmarrje shqiptare në Spanjë? Shqiptari i ekzekutuar sot kishte vrarë në 2008

Tre plumba, me njërin prej tyre që e ka marrë në kokë, i kanë dhënë fund jetës së shqiptarit Fatmir A., sot në Reus të Spanjës. E si në çdo ekzekutim shqiptarësh nëpër botë policia spanjolle e ka të vështirë të zbulojë arsyet e këtij atentati në mes të rrugës ndaj 43-vjeçarit.

Hetimet për vrasjen vijojnë, teksa nga Spanja zbulojnë se Fatmir. A., ka qenë i dënuar me burg si autor i një vrasje të kryer në një pikë karburanti në Cambrils në fillim të vitit 2008. Garda Civile e Tarragonas e arrestoi asokohe shqiptarin, pasi ai i mori jetën një 26 vjeçari.

Krimi ndodhi në stacionin e shërbimit “Los Conejos” në Cambrils, ku mes personave në dy automjete ka pasur përplasje me armë zjarri. Përleshja përfundoi me vdekjen e 26-vjeçarit, banor i Vila-seca, i cili u ekzekutua nga 43 vjeçari me dy plumba, një në kokë dhe një në shpatull.

Shqiptari i ekzekutuar sot, asokohe lëvizte me dokumente bullgare të rreme, ndërsa si shkak të vrasjes, policia spanjolle përcaktoi prishjen e pazareve të drogës dhe prostitucionit.

Çështja doli në gjyq në vitin 2011 dhe një marrëveshje ndërmjet mbrojtjes dhe aktakuzës çoi në mbylljen e rastit me një dënim prej gjashtë vitesh burg për vrasje dhe posedim të paligjshëm të armëve. Fatmir A. hyri në burg dhe mendohet se ka dalë nga qelia vetëm pak kohë më parë, duke u rikthyer të banonte në Reus.

Duke parë gjithë dinamikën e vrasjes për larje hesapesh në 2008, hetuesit spanjollë kanë dyshime të forta se ai u vra mëngjesin e sotëm në lagjen La Pastoreta për shkak të hakmarrjes.

Policia dhe dëshmitarët okularë pretenojnë se vrasësi lëvizte me shpejtësi marramendëse brenda një makine të zezë, ndoshta një “Peugeot”, por hetimet vazhdojnë për identifikimin e autorit dhe bashkëpunëtorit të tij.

5 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.