Kaos dhe vonesa fluturimesh në Rinas. Ndërhyn edhe policia (VIDEO)

Kaosi ka mbërthyer udhëtarët në Aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë, atë “Nënë Tereza” të Rinasit, ku shumë fluturime të planifikuara këtë të hënë nga kompania ajrore “Blue Panorama” janë shtyrë për afate kohore tejet të vona.

Vonesat e paplanifikuara dhe të paparalajmëruara kanë prekur thuajse të gjithë ditën, siç tregojnë disa foto të dërguara nga udhëtarë të ndryshëm në rubrikën “Ti Raporton” në Top Channel, ku shihet qartë që ato nisin prej udhëtimit të parë të mëngjesit, në orën 6:30 me destinacion “Malpensën” e Milanos, që është shtyrë për në orën 21:45 të mbrëmjes.


Po ashtu, edhe disa fluturime të tjera të kësaj kompanie janë vonuar, madje disa udhëtarë sjellin me zë e me figurë edhe irritimin e udhëtarëve të pakënaqur, aq sa është bërë e nevojshme edhe ndërhyrja e policisë.

Arsyet e vonesave apo mosngritjes në fluturim të asnjë avioni të kompanisë “Blue Panorama” nuk dihen, por përmes vrojtimit të tabelave elektronike të aeroportit, udhëtarët hamendësojnë se këto fluturime mund të ndërmerren në një moment të dytë nga linja tjetër ajrore, “Albawings”.

3 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




Comments are closed.