Raporti i S&P, PD: Në një vit, u shtuan 245 mijë shqiptarë të varfër

Pak pasi kryeministri Rama publikoi sot disa të dhëna nga raporti i S&P për gjendjen e ekonomisë, deputetja e PD Grida Duma i është përgjigjur me disa të dhëna të tjera që sipas saj tregojnë të kundërtën.

“Eurobarometri i 2018 për Shqipërinë, fakton që 1 milion 750 mijë shqiptarë deklarojnë që gjendja e tyre ekonomike është plotësisht e keqe. Vetëm në një vit, pra midis 2017 dhe 2018, janë shtuar 245 mijë shqiptarë më shumë, që deklarojnë se gjendja e tyre ekonomike është shumë e keqe”, deklaroi Duma nga selia blu.

Ajo tha më tej se të dhënat tregojnë se “për 67% të shqiptarëve papunësia është problemi më i madh i tyre”. “Në një vit të vetëm janë 315 mijë shqiptarë që e deklarojnë gjendjen e tyre shumë më keq”, shtoi deputetja.

Sipas Dumës, Barometri Ballkanik tregon se kriza ekonomike, korrupsioni dhe e papunësia e lartë po rrënon jetët e shqiptarëve

“Është e qartë që me këtë model qeverisje ku favorizohet oligarku, personat e lidhur me qeverinë dhe ku i afti bëhet më i pamundur dhe i varfri më i varfër, të vërtetat që i dinë të gjithë shqiptarët për Shqipërinë i fakton dhe Bashkimi Europian. Por shqiptarët fatmirësisht vijojnë të besojnë se hyrja në BE është zgjidhja. Madje besimi se BE është shpëtimi është rritur me 2% brenda një viti, dhe 90% e shqiptarëve kanë këtë qëndrim. Për shqiptarët me këtë qeverisje nuk ka shpresë; nuk ka shpresë nëse vijon rilindja e dështimeve. Është jetike të ndalojmë qeverisjen kundër njerëzve, kundër mirëqenies. Është jetike një tjetër qeverisje, përndryshe rrezikojmë të ndodhë skenari më i keq për shqiptarët, ai që parashikon BERZH”, tha Duma.

6 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.