Vettingu i Artan Zenelit, viza amerikane dhe pasuria rrezikojnë gjyqtarin

I cilësuar si “gjyqtari gjysmëmilion euro”, Artan Zeneli ishte i katërti anëtar i Gjykatës së Lartë pas Edmond Islamajt, Admir Thanzës dhe Tom Ndrecës që doli para organeve të Vetting-ut.

Ai ishte në listën prioritare, pasi kandidon për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Seanca dëgjimore me gjyqtarin Zeneli nisi në mesditë dhe ai ishte vetë i pranishëm në sallën e KPK-së, duke dalë pa avokat përballë trupit gjykues që drejtohet nga Etleda Çiftja dhe si anëtare ka Xhensila Pinen dhe Valbona Sanxhaktarin.

Relatorja e çështjes tha se gjyqtarit të Lartë i është revokuar viza amerikane në vitin 2017, por ai nuk e ka deklaruar këtë të dhënë në formularin e DSIK-së.

KPK ka kryer hetimin e saj administrativ edhe përsa i përket pasurisë së Artan Zenelit, duke sqaruar se ai zotëron një vilë te zona “Kodra e Diellit” në Tiranë, ku shuma prej 150 mijë eurosh ka kaluar në llogarinë e ortakut dhe jo shoqërisë ndërtuese. Ai gjithashtu ka mospërputhje mes sipërfaqes së banesës dhe oborrit në dy deklarata të ndryshme.

Ndërkohë ka në pronësi një tjetër apartament në Tiranë me vlerë 102 mijë dollarë, por ka mospërputhje me faktin se prona është e ndarë në dy apartamente. Në vijim u konstatua se ka mospërputhje në deklaratën e vetting-ut dhe atë 2007 për sipërfaqen e një apartamenti 74 metra katrorë në Golem.

Gjyqtari Zeneli zotëron edhe 45 mijë euro dhe një tjetër banesë dykatëshe në Tiranë. Ai vetë tha se pasuritë e tij janë vënë gjatë kohës që ushtronte detyrën e avokatit, nga viti 1999 deri 2007, por sipas KPK subjekti është i papërshtashëm për të vazhduar detyrën.

Pavarësisht konstatimeve të KPK-së, Zeneli reagoi duke thënë se “DSIK më ka nxjerrë të përshtatshëm një herë”.

“Me insistimin tuaj për datën dhe saktësinë e formularit është bere rishikim. Formularin e kam nisur ta plotësoj në nëntor 2016 dhe më pas Kushtetuesja e ka bllokuar këtë aspekt duke kaluar në janar 2017. Data e formularit të DSIK është 16 janar 2017 dhe data e dorëzimit është korrigjuar. Më datë 26 janar jam thirrur në Konsullatë me pasaportë dhe më është komunikuar revokimi i vizës private turistike b1b2. Duke qenë se unë kisha dy viza dhe jam interesuar për cilën vizë bëhet fjalë se kam edhe vizë a1. Më datë 27 janar kam shkuar në DSIK dhe kam dorëzuar formularin dhe kam deklaruar se nuk më është refuzuar hyrja në SHBA, por vetëm se me është anuluar njëra vize. Në qershor të këtij viti jam interesuar nëse mund të udhëtoj me vizën e tipit a1 zyrtare dhe nga Ambasada më është thënë që më është revokuar edhe viza e dytë. Kam kërkuar sqarim dhe me është revokuar më 4 qershor të këtij viti, pasi DSIK më ka nxjerrë të papërshtatshëm”, u përpoq të sqaronte Zeneli

Ndërkohë vlen të theksojmë se vava e shkuar dhe kjo që sapo ka nisur është prioritare për anëtarët e Gjykatës së Lartë të cilët dalin para vetting-ut. Deri më tani, Thanza dhe Ndreca kanë dalë me probleme dhe presin vendimin, ndërsa Islamaj e kaloi vetting-un, por ka një kërkesë për të rinisur një hetim të thelluar nga ana e komisionarit publik.

16 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.