Grabitje të dhunshme, kapen 4 ‘skifterë’ shqiptarë në Spanjë (VIDEO)

Dikur ishin problemi kryesor i Italisë, por “skifterët” shqiptarë pasi bënë “kërdinë” në fqinjin perëndimor duke grabitur pafund banesa e biznese, tashmë janë zhvendosur në Spanjë, aty ku policia ka goditur të disatën bandë grabitësish nga vendi ynë.

Grupi i radhës i shqiptarëve të arrestuar nga policia spanjolle akuzohen për grabitje me dhunë në banesa në Barcelonë dhe Madrid. Sipas policisë ata kanë grabitur edhe gjatë kohës që pronarët e banesave janë gjendur brenda. Të arrestuarit këtë herë janë katër shqiptarë, të moshës nga 24 deri në 33 vjeç.

Mësohet se shqiptarët kanë precedentë të mëparshëm penalë, pasi në dosjet e tyre janë të shënuara disa grabitje edhe më të hershme.

Hetimi për këtë grup “skifterësh” që përqendroheshin në vjedhjen e bizhuterive të shtrenjta nisi në muajin maj, pasi më datë 20 u shënua një grabitje me armë zjarri në Madrid. Gjatë kësaj grabitje nga grupi i shqiptarëve, në vilën luksoze ishin të pranishëm pronarët, dy fëmijët e çiftit dhe dy punonjës.

Mediat spanjolle shkruajnë se pronari i banesës mbeti i plagosur nga goditja me armë zjarri, ndërsa në pak minuta shqiptarët vodhën para, bizhuteri, ora dhe dy armë zjarri.

Autorët që kryen këtë grabitje të dhunshme kishin kryer edhe katër sulme të tjera në Madrid e Barcelonë. Pas verifikimit të banesave që do grabisnin, autorët hynin në to duke thyer dritaret ose dyert dhe pasi futeshin brenda, si prioritet kishin vjedhjen e kasafortave.

Shqiptarët, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur nga raportimet e mediave spanjolle, u arrestuan në Barcelonë dhe Santa Coloma de Gramenet.

Në rrjet është duke qarkulluar edhe një video e shpërndarë nga policia ku shqiptarët shihen në çatinë e një banese, përpara se të kryejnë goditjen e radhës. Gjithashtu në sekuenca të caktuara ka pamje nga momenti i arrestimit të tyre dhe sekuestrimit të bizhuterive dhe orave të shtrenjta që ata kishin vjedhur.

21 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.