Prezantohet Hierro: Spanjollëve u them të kenë besim, do zhvillojmë një Botëror të madh

“Kemi ardhur në Rusi për të zhvilluar një Botëror të madh dhe objektivi nuk ndryshon pavarësisht gjithçkaje”, ishin këto fjalët e para të Fernando Hierros, ish mbrojtësit legjendar të Realit të Madridit si trajneri i ri i Spanjës. Hierro i ka idetë e qarta dhe në konferencën e parë për shtyp si numri 1 i stolit të La Rojas përcjell siguri, eksperiencë dhe gjallëri. 50-vjeçari nuk ka pasur asnjë dyshim kur është thërritur në detyrë nga presidenti i federatës spanjolle Rubiales duke mos u menduar 2 herë.

“Bëhet fjalë për një mundësi unike të cilën e pranoj me forcë dhe dëshirë. Spanjollëve u them të kenë besim sepse grupi i futbollistëve është shumë cilësor dhe i ka idetë të qarta. A do të ketë ndryshime në formacion? Asnjë sepse nuk ka kohë dhe mbi të gjitha në këto 2 vite është punuar shumë mirë. Nuk ka asgjë për të korrigjuar”, tha ai.

Hierro u emërua trajner vetëm për Botërorin dhe për momentin ai nuk mendon aspak për të ardhmen pasi dëshiron ti gëzohet të tashmes.

“Unë jam i përqendruar vetëm tek Portugalia, më pas vëmendja ime do të shkojë te Irani dhe Maroku. Nuk është momenti për të menduar për gjëra të tjera nëse do të jem trajneri i Spanjës edhe pas Botërorit apo jo. Kam qenë trajner pas kam bërë sërish rolin e drejtorit sportiv dhe tashmë jam sërish trajner. Në qendër të të gjitha gjithsesi është topi i futbollit”, theksoi ai.

Këtë të enjte Hierros do ti bashkohen dy persona që kanë qenë bashkëpunëtorë të tij tek skuadra e Real Oviedos, pasi dy nga bashkëpunëtorët e Lopeteguit janë larguar së bashku me ish trajnerin drejt Madridit për ta ndjekur atë në aventurën e tij të re në krye të Los Blancos.

13 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)









Comments are closed.