Spanjë, shqiptari e pranon në gjyq: Jam ‘koka’ e bandës së kokainës

Ndikimi i shqiptarëve në rrjetin e narkotikëve në Evropës është shtrirë edhe në Spanjë, aty ku edhe ka baza për zbarkimin e kokainës nga Kolumbia, e që më pas shpërndahet në të gjithë kontinentin. Tashmë prej një viti janë evidentuar disa arrestime shqiptarësh që tregëtojnë heroinë, hashash e kokainë në Gadishullin Iberik, por rasti i Afrim H. Për të cilin shkruajnë mediat spanjolle është disi i veçantë.

Ky shqiptar ka pranuar para një gjykate në Spanjë se është ‘koka’ e një rrjeti ndërkombëtar të drogës.

Afrim H. ka dalë para gjykatës në Pontevedra bashkë me tre persona të tjerë dhe ka rrëfyer se drogën e merrte në Valencia dhe më pas e përgatiste në një banesë në zonën ku jetonte, për ta shpërndarë pastaj tek përdoruesit.

Të akuzuarit kanë treguar se në dhjetor të vitit 2015 kishin marrë një sasi prej 10 kilogramësh heroinë në Valencia, të cilën e kishin mbajtur për një kohë të caktuar në dyshemenë e banesës së tyre në Sanxenxo, Pontevedra, ndërsa më pas e shpërndanë atë tek klientët e tyre të pakicës.

Bashkëshortja e njërit prej të pandehurve nuk ka pranuar se ishte pjesë e këtij rrjeti, ndërsa një tjetër i akuzuar, i cili është përmendur nga shtetasi shqiptar, ka pranuar se ka ndarë banesën me shqiptarin Afrim.H, por ka mohuar se ka qenë pjesë e rrjetit të trafikut.

Nga të arrestuarit gjithashtu është pranuar se dërguan në Narón në A Coruña një sasi prej 3 kilogramësh heroinë në këmbim të një shume prej 91 mijë e 500 eurosh. Ata kanë rrëfyer se përdornin për trafikun e drogës 4 automjete, të cilat kishin vende të posaçme për fshehjen e drogës.

Policia tha në një deklaratë se shtëpia ku jetonin personat e ndaluar në Sanxenxo ishte kthyer në një laborator droge, ndërsa u gjetën edhe 3 armë zjarri dhe dokumente të falsifikuara.

Prokuroria spanjolle ka kërkuar në total 60 vite burg për personat e akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

6 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.